2015-07-26 16:32:00

Papa: të rinj, kërkojini Jezusit një zemër të lirë!


Veprimtari rinore, gjithë verën, në pritje të ngjarjes së madhe vitit të ardhshëm, takimit botëror të Krakovit, që prek zemrën e rinisë planetare. Me një lajtmotiv të vetëm, një porosi, që Papa ua dha të rinjve  gjatë festës së madhe organizuar pak kohë më parë në Costanera të Asunción, në brigjet e lumit Paraguai. Jehojnë në hapësirën e të gjitha veprimtarive rinore këto ditë vere, fjalët e Papës, që u tregojnë të rinjve tre horizonte: zemër të lirë,

solidaritet me vëllezërit,

besim e shpresë në Jezusin!

Zemër e lirë

Papa u kujton të gjithëve se liria është dhuratë e Zotit. Por duhet të dish si fitohet, si mund ta çlirosh zemrën nga një mori pengesash si shfrytëzimi, mungesa e mjeteve të jetesës, varësia nga droga, trishtimi, që nganjëherë i pushton edhe shpirtrat më guximtarë, përballë shëmtimeve që ndeshen në udhën e përditshme të jetës.   

Atëhere, porosia e Papës për të rinjtë: dialogoni me Krishtin. Nëse ju mungojnë fjalët, nuk ju mungon shpirti. Lutja mund të bëhet me e pa fjalë. E në se kërkoni fjalët, drejtojani Krishtit lutjen tuaj, ashtu si ju del nga zemra:

 “O Zot Jezus, më jep një zemër të lirë, që të mos jem skllav i joshjeve të botës. Skllav i rehatisë e i mashtrimit. Të mos më skllavërojë ‘jeta e bukur’, por pa kuptim. Të mos jem skllav i vesit. Skllav i lirisë së rreme, që më fton të bëj, atë që më pëlqen çdo çast të jetës, duke harruar se jeta është edhe betejë, për t’u luftuar, e dyluftim me djallin, për t’u fituar. Jeta është edhe Golgotë e kryq!”.

Solidaritet me vëllezërit 

Duke u mbështetur në përvojën e bashkëmoshtarëve, që ndihmojnë familjarët e moshuar, Papa u kujton të rinjve se nuk duhet të veprojmë kurrë si Ponci Pilat. Nuk duhet t’i lani duart, para vështirësive të krijuara në familje, posaçërisht nga sëmundjet, që mund t’i prekin prindërit a të afërmit. Ata duhen ndihmuar, duhen mjekuar, duhen dashur pikërisht në çastet më të vështira të jetës. Duke zbatuar, kështu, Urdhërimin e katërt të Tënzot: “Nderoje babain e nënën tënde!”.

“Kjo është shkallë shumë e lartë solidariteti, e shkallë tejet e lartë dashurie”.

Shpresa është në Jezusin

Papa u kujton të rinjve historinë e Manuelit, djaloshit, që kaloi një fëmijëri të vështirë, me dhunë e shfrytëzim, gjë që e çoi në rrugën e keqe të drogës. Pastaj pati fatin të takohej me Jezusin. E Zoti e shpëtoi. Dëshpërimi i çon shumë të rinj në rrugë të keqe, kujton Papa. Duhet t’u themi këtyre të rinjve se jemi pranë tyre, se dëshirojmë t’i ndihmojmë, e me shumë dashuri.

Jezus, na mëso të shërbejmë!

Françesku i nxit të rinjtë ta ngrenë zërin, që t’i dëgjojë gjithë bota e i fton të bashkohen me të në lutjen:

“Jezus, të lutem për djemtë e vajzat, që nuk e dinë se Ti je forca e tyre e që kanë frikë të jetojnë: frikë të jenë të lumtur, frikë të ëndërrojnë. Jezus, mësoji të ëndërrojnë, të ëndërrojnë gjëra të mëdha, të bukura, që mund të duken të zakonshme, por që ta zgjerojnë zemrën, sa të zërë gjithë botën. O Zot Jezus, na jep forcë, na jep zemër të lirë, na jep shpresë. Na jep dashuri e na mëso të shërbejmë!”.

Ati i Shenjtë vijon t’u kujtojë të rinjve se miqësia është një nga dhuratat më të çmuara, që mund të marrë një e i ri, por edhe që mund ta japë. E sekreti më i madh i të krishterëve, është miqësia me Jezusin. Ndërsa strategjia e djallit është të premtojë shumë e të mos bëjë asgjë. Djalli shet tym e mjegull. Për të errësuar udhën. Ndërsa Jezusi ta tregon këtë udhë: është ai vetë udha, e vërteta, jeta. Lumturia, ajo që ta mbush jetën plot, nuk gjindet në vitrinat e veshjeve luksoze, në këpucët e modës, në etiketat e markave të njohura. Lumturi e vërtetë është ajo, që na bën të ndjeshëm, na mëson të qajmë me ata që qajnë; të trishtohemi me ata, që trishtohen; të japim një dorë, një përqafim. Të lum janë ata, që hyjnë në zemrën e tjetrit, që dinë të rrokin e të falin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.