Rreth 40 emigrantë u mbytën në det të mërkurën e kaluar, gjatë përmbytjes së një gomoneje nisur nga brigjet libike. Njoftimin e jep Komisariati i Lartë për Refugjatët. Ndërkaq flitet se në krye të organizatës, që drejton trafikun e emigrantëve, është një etiop, që po hetohet nga drejtoria e hetuesisë së Palermos kundër mafies.
Ndërmjet viktimave, sipas Save The Children, që dëgjoi dëshmitë e 283 emigrantëve, të cilët arritën dje pasdite në Augusta mbi anijen ushtarake Holstein, ishin edhe 5 të mitur. Gjithsej të vdekurit duhet të jenë rreth 40. Refugjatët lundronin mbi një nga gomonet e ndihmës së shpejtë. Organizata humanitare pohon se ishin 120-125 vetë, të gjithë meshkuj. Prej tyre shpëtuan vetëm 88. Shkaku: mjeti lundrues u dëmtua dhe nisi të mbushet me ujë e të fundoset dalëngadalë, gjë që po ndodh tepër shpesh. Në tre operacione të tjera, u shpëtuan 888 emigrantë.
Sipas Skynews, trafiku drejtohet nga një etiop, që vepron në Libi pa u trazuar nga askush, sepse tani, në këtë vend, nuk ka asnjë farë përpjekjeje për t’ia prerë rrugën trafikut të njerëzve. Prej këndej, kërkohet që Evropa të zgjohet e të merret shumë më seriozisht me këto shtegtime shprese, që po kthehen vazhdimisht në shtegtime vdekjeje. Më shumë solidaritet, prandaj e, natyrisht, edhe më shumë kontroll e bashkëpunim me brigjet prej nga vijojnë të nisen qindra njerëz në një drejtim, që premton shumë e jep pak e aspak.
All the contents on this site are copyrighted ©. |