2015-07-24 15:59:00

Kard. Filoni: shqetësimi i Papës për Kishën heroike irakiane


“Kisha në Irak”: kështu titullohet libri i shkruar nga kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. Është përshkrim i historisë dhe i misionit të Kishës irakiane, nga zanafilla, në ditët tona. “Kishë heroike”, siç e kanë quajtur Benedikti XVI e Papa Françesku, që edhe sot po vijon të japë dëshmi të ndritura feje, duke u bërë ballë persekutimeve të xhihadistëve të Is. Kardinali Filoni ka qenë rreth 5 vjet nunc apostolik në Irak, gjatë Luftës së Gjirit e Papa Françesku e dërgoi dy herë me mision ndërmjet refugjatëve irakianë. Prelati i lartë, duke folur në mikrofonin tonë, shpjegon sa i madh është shqetësimi i Papës për të krishterët irakianë:

Përgjigje:  - Është shumë i madh, për një mori arsyesh. Mbi të gjitha, sepse të krishterët, në këtë çast, njëherësh me pakicat e tjera, janë të varfër, vërtet të varfër, mbasi u detyruan të braktisin gjithçka: jo vetëm shtëpitë e tyre, por edhe gjithçka kishin, duke mbetur vetëm me një palë petka në shtat. Atëhere Papa bëri thirrje, duke tërhequr vëmendjen e mbarë botës mbi të krishterët tanë të dëbuar. E mbi luftën në përgjithësi, sepse lufta  rëndon gjithnjë mbi popullsitë. Mbi të gjithë, mbasi të gjithë pësojnë rrënime, vdekje, shpërngulje e shpërbërje familjesh. Nxiti, kështu,  solidaritetin ndërkombëtar.

 Pyetje: - Ju keni qenë nunc apostolik në Irak gjatë Luftës së Gjirit e më pas e vizituat dy herë vendin, si i dërguar i Papës. A mund të na thoni diçka për këto dy takime me popullsinë irakiane?

Përgjigje: - Takimi i parë ishte tronditës: u ndodha në mes të mijëra familjeve të ikura, që flinin përtokë, ku të mundnin: me kokë mbi gurë,  nën pemë, në kushte absolutisht çnjerëzore, duke përballuar vapën e padurueshme që, siç dihet, në Irak arrin deri në 45 e 48°. Njerëz të ikur me tmerr, pa ujë, pa kushtet më minimale higjieno-sanitare, plot me probleme, që lidhen me ushqimin e me sëmundjet…

Vizita e dytë kishte për qëllim që të krishterët tanë ta shikonin se nuk i kemi harruar. Ishte një “ledhatim”, që nuk duhet bërë vetëm një herë, siç shprehet vetë Papa.

Ishte kohë Pashkësh, kur shkova, e munda t’u çoj një simbol shumë shprehës: kolombën, ëmbëlsirën tipike të Pashkëve, në formë pëllumbi,  dhuruar irakianëve nga besimtarët romakë.

Pyetje: - Kardinal Filoni, në librin tuaj ka një kapitull, që titullohet: “Ç’mund të thuhet për Irakun e sotëm”. Mendoni se ka rrezik që vendi të ndahet ndërmjet kurdëve, sunitëve e shiitëve? Ç’ardhmëri e pret pakicën e krishterë?

Përgjigje: -  Unë përshkruaj, normalisht, si lindi Iraku e si lindën edhe vendet e tjera, përfshirë Jordaninë, Sirinë, Libanin e edhe vetë Turqinë: lindën nga shpërbërja e Perandorisë Otomane, 90 vjet më parë. Në këto shtete të reja kishte, e ka, shumë kombësi, etni, grupe të ndryshme. Në Irak shumicën e përbëjnë shiitët, ndërsa pushtetin e kanë pasur në dorë sunitët, që nuk pranojnë t’u nënshtrohen shiitëve. Vijnë, pastaj, kurdët, që gjithashtu kërkojnë të drejtat e tyre. E pastaj, edhe pakicat e tjera, ndërmjet të cilave, edhe të krishterët. Të krishterët, ashtu si edhe yazidët, kanë jetuar gjithnjë ndërmjet të gjithëve e nuk kanë kërkuar kurrë të mblidhen në një hapësirë territoriale, që t’u përkasë vetëm atyre. Për t’i dhënë përgjigje pyetjes suaj, duhet të dalim nga logjika e kufijve, për të hyrë në logjikën e bashkëjetesës me respekt të plotë për njëri-tjetrin. Logjika e re kërkon që secili të jetojë si qytetar, me të gjitha të drejtat shoqërore e politike, larg çdo prirjeje për të rivendosur diktatura të çdo ngjyre. Do ndryshuar mendja. Por për këtë duhet shumë kohë!








All the contents on this site are copyrighted ©.