2015-07-24 15:11:00

Irak: edhe në Kirkuk shpronësohen shtëpitë e të krishterëve


Edhe në qytetin e Kirkukut si dhe në provincën e tij, shumë shtëpi dhe troje, që u përkisnin të krishterëve, po u merren ilegalisht pronarëve të ligjshëm përmes sigurimit të dokumenteve të paligjshme, që e bëjnë pothuajse të pamundur rikthimin e tyre në duart e pronarëve  të vërtetë. Fenomeni, i ndodhur dhe i denoncuar edhe në të kaluarën në Bagdad, nisi e vijon edhe si pasojë e veprimtarisë së funksionarëve të korruptuar e të pandershëm, që vihen në shërbim të batakçinjve të veçantë e dhe të grupeve të organizuara të mashtruesve. Në një nga rastet më të fundit - njofton kanali irakian i internetit ankawa.com - një grup banesash, që u përkisnin qytetarëve të krishterë, të larguar përkohësisht nga qyteti, u shembën e, në vend të tyre,  u ngrit një vendqëndrim automjetesh.

Parlamentarët dhe shoqatat e krishtera kërkojnë t’u jepet fund këtyre mashtrimeve.

Grabitja e ligjëruar e pronave të familjeve të krishtera lidhet ngushtë me  ikjen në masë të të krishterëve irakianë, pas ndërhyrjeve  ushtarake të SHBA-ve për rrëzimin e regjimit të Sadam Huseinit. Mashtruesit i shtien në dorë shtëpitë dhe pasuritë e patundshme, mbetur shkret, me bindjen se asnjë nga pronarët e vërtetë nuk do ta marrë më guximin ta kërkojë atë, që i përket. Parlamentarët e shoqatat e krishtera u bëjnë thirrje  institucioneve administrative lokale, duke kërkuar t’i jepet fund fenomenit të çertifikatave të rreme, mbi të cilat bazohet ky tip mashtrimi. 








All the contents on this site are copyrighted ©.