2015-07-24 16:06:00

Dhunë në Indonezi. Nunci: episode të izoluara


Janë episode dramatike, por të izoluara, sepse vendi shquhet për atmoferën e tolerancës. Kështu shprehet nunci apostolik në Indonezi, imzot Antonio Guido Filipazzi, duke komentuar dhunën me sfond fetar, që po ndjehet fort këto ditë në vendin aziatik. Burimet vendase flasin edhe për të vdekur. Sipas tyre, një nga manifestuesit u godit për vdekje nga policia, ndërsa, gjatë trazirave, u dëmtuan rëndë dy kisha e një xhami. Qeveria shpalli gjendjen e alarmit që, gjithnjë sipas imzot Filipazzi-t, synon të parandalojë  akte të tjera dhune. Por, ta dëgjojmë vetë Prelatin:

Përgjigje: - Muaji i Ramazanit kaloi, përgjithësisht, në atmosferë të qetë. Por para se të fillonte Ramazani, e edhe më pas,  në Xhakartë nisi të ndjehej një atmosferë tensioni, jo kundër të krishterëve, por kundër një grupi, që konsiderohet heterodoks, grupit Ahmadiyya. Një grup fundamentalist u përpoq t’ia pengojë lutjen. Gjatë Ramazanit pati tensione dhe në zonën e Yogyakartës, në Javën qëndrore, posaçërisht me protesta nga ana e grupeve të vogla myslimane, që e vunë në diskutim lejën e të krishterëve për të kremtuar në disa vende kulti. Së fundi, pasi mbaroi Ramazani, në qytetin Tolikara pati ndeshje ndërmjet besimtarëve të Kishës Ungjillore të Indonezisë, që thuhet se deshën t’i pengojnë myslimanët vendas të mblidhen për të kremtuar përfundimin e Ramazanit. Në ndeshje e sipër u dogj një xhami e me të,  edhe disa dyqane. Atëherë ndërhyri policia, me pasojë një të vdekur e disa të plagosur. Kjo ngjarje ndodhi në Papua, në një zonë me shumicë të krishterë. Gjithsesi, janë episode të rralla, që ndodhën në zona shumë të kufizuara. Po kjo nuk mund të mos i shqetësojë të gjithë e, sidomos, autoritetet.








All the contents on this site are copyrighted ©.