2015-07-23 14:27:00

Dita e jetës në Angli. Papa: të mbrohet nga fillimi në fund


Papa Françesku i siguron Kishës së Anglisë e të Uellsit mbështetjen e tij, me rastin e Ditës për jetën, që do të kremtohet këtë të dielë. Tema e sivjetme është “Të kultivojmë jetën, të pranojmë vdekjen”. E në tweet-in e sotëm, Ati i Shenjtë pohon: “Kush ndihmon të sëmurët e nevojtarët prek korpin e Krishtit, të gjallë e të pranishëm mes nesh”.

Të mbrohet jeta nga lindja deri në vdekjen e natyrshme

         Të promovohet “dinjiteti i çdo njeriu, që nga çasti i zënies deri në vdekjen e natyrshme”: kjo është thirrja e Papës në mesazhin për një ditë, që kremtohet në prag të votimit të Dhomës britanike të Komuneve për projektiligjin mbi eutanazinë, parashikuar më 11 shtator. Sipas propozimit, të sëmurëve të pashërueshëm, në moshë të rritur, mund t’u jepet mundësia t’i japin fund jetës, të asistuar nga mjekët.

Eutanazia e fshehur e shumë të moshuarve

         Papa Françesku ka folur shpesh për këtë temë, duke denoncuar “eutanazinë e fshehur” të shumë të moshuarve. Çdo i moshuar, ka theksuar gjithnjë, pavarësisht se i sëmurë, ose në fund të jetës, nuk është plaçkë për t’u hedhur, mban në vetvete fytyrën e Krishtit. Eutanazia, kritikon Ati i Shenjtë një mendim të përhapur në botën e sotme, nuk është akt dinjiteti, por mëshirë e rreme. Të kujdesesh për njeriun, nënvizon Papa, ky është dinjitet.

Nuk zgjidhen problemet, duke zhdukur një jetë

         Ndër më të brishtët janë edhe fëmijët, sidomos fëmijët e palindur akoma. Në mesazhin për ipeshkvijtë anglezë, Papa denoncon abortin dhe miratimin e ligjeve në favor të tij, të cilat shpesh konsiderohen arritje e progres. “Nuk është përparimtare – pohon me forcë Ati i Shenjtë – të pretendosh t’i zgjidhësh problemet, duke eliminuar një jetë njerëzore”. Kështu sillen mafiozët, vijon Papa: ka një problem, atëherë po vrasim këtë e atë. E nuk mund të konsiderohet arritje shkencore, ngre zërin më tej Françesku, të “prodhosh” një fëmijë në epruvetë, duke e konsideruar si të drejtë të prindërve e jo si dhuratë. Njëlloj, nuk është e drejtë të përdoren jetë njerëzore si kavie laboratori, në emër të pretendimit për të shpëtuar jetë të tjera.

Mbrojtja e jetës nuk është problem fetar, por shkencor

         “Besnikëria ndaj Ungjillit të jetës – nënvizon Papa – nganjëherë, kërkon vendime të guximshme e kundër rrymës, të cilat, në rrethana të veçanta, mund të kërkojnë kundërshtimin për hir të ndërgjegjes”. Nuk është problem fetar, siç mund të mendojë ndokush, shpjegon Ati i Shenjtë: “është problem shkencor, sepse kemi të bëjmë me jetë njeriu”. E nuk është çështje modernizmi, sepse si në lashtësi, ashtu edhe sot, fjala “vrasje” ka të njëjtin kuptim.

Përparimi matet me aftësinë për ta mbrojtur jetën

         “Niveli i progresit të çdo qytetërimi – vazhdon Papa – matet pikërisht me aftësinë për ta mbrojtur jetën, sidomos në fazat e saj më të brishta”, duke luftuar kundër çdo lloj atentati ndaj saj. “Është atentat kundër jetës plaga e abortit – përfundon Ati i Shenjtë, duke numëruar një sërë situatash të rënda. Është atentat kundër jetës t’i lësh të vdesin vëllezërit tanë në barkat e kanalit të Sicilisë. Është atentat kundër jetës vdekja në punë, sepse nuk respektohen kushtet minimale të sigurisë. Është atentat kundër jetës vdekja për shkak të ushqimit të keq. Është atentat kundër jetës terrorizmi, lufta, dhuna, por edhe eutanazia. Të duash jetën do të thotë gjithnjë të kujdesesh për tjetrin, t’ia duash të mirën, t’ia respektosh dinjitetin e tij, që vjen prej Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.