2015-07-22 17:38:00

Sfidat, që e presin Françeskun ndërmjet shtatorit e dhjetorit


“Nga shtatori, në dhjetor: në tre muaj Françesku do të luajë rolet krysore të papnisë”. Nga shtegtimi në Kubë e SHBA, tek Sinodi i zakonshëm kushtuar familjes; nga vizita në Afrikën e zezë, tek hapja e Jubileut të mëshirës. Fillin e kuq, për ta ndjekur Papën  në agjendën e tij tremujore, na  e jep në dorë Alberto Melloni, profesor i historisë së krishterimit në Universitetin e Modena-Reggio Emilia dhe titullar i katedrës Unesco mbi pluralizmin fetar e paqen, pranë Universitetit të Bolonjës. “Papa deshi ta rrethojë misionin e tij në SHBA e në OKB, me kornizën  e dy shtegtimeve, kushtuar skamnorëve jugamerikanë e atyre afrikanë, shpjegon në Vatican Insider, Drejtori i Fondacionit për shkencat fetare “Gjon Pali II” të Bolonjës.

Nga tri vende të varfëra të Amerikës Latine (Ekuador, Bolivi, Paraguái), në zonat më të vështira të Kontinentit të zi, duke kaluar përmes vizitës në Kubë e SHBA. Ç’domethënie shikoni në këtë “gjeopolitikë të shtegtimeve?

“I vendosur ndërmjet dy vizitave, në mes të varfërve të Amerikës së Jugut e atyre të Afrikës, shtegtimi në SHBA nuk ka asnjë rrezik të duket si rendje me një plan të caktuar politik, në prag të zgjedhjeve presidenciale. Fjalimet kushtuar padrejtësive shoqërore, shqiptuar në Amerikën Latine, janë aq të forta, sa ta sqarojnë menjëherë vizionin e Papës në fushën ndërkombëtare. Veç kësaj, përgjigjja e tij lidhur me kryqin e dhuruar nga presidenti bolivian Morales, është shumë e rëndësishme në këndvështrimin  e përmbajtjes doktrinore. Për Françeskun, nuk është problem mbështetja e Teologjisë së çlirimit mbi marksizmin”. 

Çfarë i lidh shtegtimet me Sinodin kushtuar familjes?

“Shtegtimet kanë gjithnjë rezultate jashtëzakonisht pozitive, sepse Françesku ka personalitet magnetik. Ndërsa Sinodi është diçka krejt tjetër. Në të pritet të spikasë në mënyrë të jashtëzakonshme, ajo që ka ndodhur qysh nga zgjedhja e tij. Bergoglio aktivizoi një mekanizëm sinodal, që nuk ka funksionuar kurrë. Jemi para një shndërrimi, ende të parealizuar plotësisht, por ndërkaq Papa ka arritur një fitore të padiskutueshme, sepse, më në fund, në Sinod, do të ballafaqohen qëndrime të larmishme e do të ketë një diskutim të vërtetë. Në idenë e Françeskut nuk ekziston asnjë çarje ndërmjet dy kishave të ndryshme. Për të, Kisha është një e Sinodi, vendi, në të cilin ballafaqohen mendime të ndryshme e qëndrime, që mund të jenë dhe larg njëri-tjetrit.

Parashikimet tuaja?

E ashtuquajtura opozitë e konservatorëve mendonte se diskutimet në Sinod do të ishin të panevojshme: e vetmja gjë që duhej bërë, ishte ripohimi i qëndrimeve të pandrysheshme. Një pikë, kjo, që do të shënonte ngecjen në vend, por që tashmë është kapërcyer plotësisht. Në sinod mund të diskutohet lirisht për të gjitha problemet, që kanë të bëjnë me familjen. E ky është sukses i vërtetë për Papën.

Ç’të re sjell Viti Shenjt i jashtëzakonshëm kushtuar Mëshirës?

“Nëse drejtësia është një formë tjetër e mëshirës, atëherë nuk është drejtësi e krishterë. Prandaj Françesku e përmbys doktrinën shumëshekullore të ndjesëve. Në Bulën e shpalljes së Jubileut, Papa kujton ndjesën e Zotit. Mbarështimi i saj nuk është më privilegj i Papës e i Kishës. Udha shkon drejt të gjithëve, për të gjithë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.