2015-07-22 15:24:00

Papa Papa Françesku inkurajon kryebashkiakët e shpreson në një marrëveshje mbi klimën në Paris


 Sot, dita e dytë dhe e fundit e punimeve, për kryebashkiakët e mbarë botës, mbledhur në Vatikan që, së bashku me përfaqësuesit e OKB-së, vijuan të diskutojnë për ndryshimet klimaterike dhe skllavëritë moderne. Angazhimet e përbashkëta mbetën ato, që u nënshkruan dje, në përfundim të takimit me Papën,  në deklaratën e synimeve të përbashkëta. Në  fund të faqes së Dokumentit lexohet edhe një shënim i posaçëm i Papës, pranë nënshkrimit të tij: “E vlerësoj këtë deklaratë” shkruan Françesku, “dëshiroj që të bëjë shumë mirë”.

Ja edhe përmbajtja e tekstit:

“Ndryshimet klimaterike, të shkaktuara nga njeriu, janë realitet shkencor e, frenimi i tyre, detyrë morale për njerëzimin. Në këtë kuadër themelor moral, qytetet luajnë një rol-kyç. Kjo, vërejtja kryesore, e njëzëshme e përfaqësuesve të kulturave e shoqërive të ndryshme, nënshkrues të dokumentit. Në të shprehet siguria se sot ekzistojnë njohuritë teknologjike dhe mjetet e nevojshme financiare, që krijojnë mundësitë për t’i frenuar ndryshimet e klimës dhe për t’u dhënë fund, njëkohësisht, edhe situatave të varfërisë së skajshme, përmes rrugëzgjidhjeve të zhvillimit të qëndrueshëm, duke pasur parasysh, ndërmjet tjerash, adoptimin e sistemeve me përhapje të ulët të dioksidit të karbonit. Por, lexohet në deklaratë, duhen më shumë stimuj për përdorimin e energjisë së rinovueshme e më shumë përpjekje për paqen, në mënyrë që shpenzimet për qëllime luftarake, të mund të përdoren për qëllime ambientale. Takimi i rangut të lartë në Paris, në fund të vitit, vërejnë nënshkruesit, mund të jetë mundësia e fundit për të frenuar ngrohjen e planetit përmbi dy gradë centigradë, me një marrëveshje, që përpiqet për sigurinë e të gjithëve, posaçërisht të më të varfërve e më të ligshtëve.

Liderët e OKB-së janë të thirrur ta realizojnë këtë: do të kalohej, kështu, në një botë të ushqyer me energji të rinovueshme e me ekosisteme të qëndrueshme. Shndërrim ky, kërkohet në deklaratë, që duhet përfshirë në Objektivat e zhvillimit, të miratuara globalisht. Nga ana e tyre, kryebashkiakët angazhohen të punojnë në qytetet që administrojnë, për emancipimin dhe mbrojtjen e më të varfërve, për t’u dhënë fund shpërdorimeve dhe formave të ndryshme të skllavërisë moderne dhe për zhvillimin e programeve të ripërfshirjes së viktimave të trafikut në gjirin e shoqërisë, duke shmangur riatdhesimin e tyre të detyrueshëm.

"Dëshirojmë - lexohet në përfundim të deklaratës - qytete, që u takojnë të gjithëve, të sigurta, plot gjallëri e zhvillim të qëndrueshëm: të gjithë duhet ta luajnë rolin e tyre, e edhe ne, pohojnë kryebashkiakët e qeveritarët lokalë, jemi gati të luajmë tonin” .








All the contents on this site are copyrighted ©.