2015-07-22 12:17:00

Papa, kryebashkiakëve: kujdesi për ambientin, problem shoqëror


Do të jenë qytetet ato, që do ta nxisin botën të bëjë kthesë ekologjike. Kështu tha mbrëmë Papa Françesku, në takimin me 70 kryetarë bashkish, ardhur në Vatikan nga e gjithë bota për një seminar mbi skllavëritë e reja dhe mbi ndikimin e ndryshimeve të klimës, organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave dhe ajo e Shkencave Shoqërore. Në përfundim të takimit, Ati i Shenjtë dhe kryebashkiakët nënshkruan një deklaratë të përbashkët.

Papa shprehu optimizmin e tij për mbledhjen e OKB-së mbi ndryshimet e klimës, që do të zhvillohet në Paris, në dhjetor. Kryebashkiakëve u foli në spanjisht, pa letër, duke u kërkuar jo vetëm atyre, por edhe Kombeve të Bashkuara, të interesohen më shumë për fenomenin e trafikut e të shfrytëzimit të njerëzve, që ndihmohet edhe nga ndryshimet e klimës: “I lutem Zotit të bëhemi të vetëdijshëm për problemin e planetit, të cilin po e shkatërrojmë ne vetë, duke mos pasur ndërgjegjen ekologjike, që na u dha në zanafillë”.

 Më pas, nxiti kryebashkiakët, që në bashkëpunim konkret me Kishën, të bëjnë ç’është e mundur për ndërgjegjësimin e popullsive: “Selia e Shenjtë, ose filan vend apo tjetri, mund të mbajnë fjalime të bukura në Kombet e Bashkuara, por nëse puna nuk fillon nga periferitë drejt qendrës, nuk ka efekt”.

Të kujdesesh për ambientin, theksoi Papa, nuk do të thotë thjesht të mos e prishësh atë, pra të duash gjelbërimin e natyrën, por të luftosh për “ekologjinë njerëzore”. Siç e shpjegon edhe në Enciklikën “Lëvduar qofsh”, me termin “ekologji njerëzore”, Ati i Shenjtë nënkupton se njeriu nuk mund të shkëputet nga gjithçka e rrethon e se kur ambienti keqtrajtohet, është i pari që i vuan pasojat. “Enciklika – përsëriti Françesku – nuk është enciklikë ‘e gjelbër’, por enciklikë shoqërore”. Kur nuk kemi kujdes për ambientin, vijoi Papa, qytetet rriten tej mase e kështu, edhe getot e varfërisë e të mjerimit në to, sepse njerëzit e zhvendosur nga zonat e fshatit nuk gjejnë më punë në qytet.

Ati i Shenjtë Bergoglio denoncoi sërish “idhujtarinë e teknokracisë”, pasoja më e rëndë e së cilës është humbja e punës; shprehu shqetësimin e tij për përqindjen e lartë të papunësisë ndër të rinjtë nën 25 vjeç, që në disa vende evropiane arrin nga 40 deri në 50%. “Ç’i mbetet kësaj rinie – komentoi – përveçse varësisë nga gjëra që u prishin jetën, përveçse vetëvrasjes apo kërkimit të horizonteve të reja, përmes emigracionit”.

E Papa hyri edhe në detaje. Foli për sëmundjet e rralla, shkaktuar nga plehrat kimike, nga teknicizmi i tepruar; denoncoi shkretëtirëzimin, që godet mushkëritë e gjelbërta të botës, viktima të shpyllëzimit; shpjegoi lidhjen ndërmjet emigracionit, mungesës së punës e trafikut të njerëzve, gjithnjë e më të detyruar të punojnë pa kontratë, pa një pagesë të mjaftueshme për të mbijetuar, duke shtuar kështu, radhët e keqbërësve si në qytetet e mëdha, ashtu edhe në të voglat.








All the contents on this site are copyrighted ©.