2015-07-22 14:33:00

Në Mosul, Isis zhduk emrat dhe kujtesën e krishterë


Pasi e zbrazi krejtësisht qytetin nga të krishterët që prej 16 korrikut të vitit të kaluar, pasi shkatërroi kishat dhe i shndërroi në xhami, pasi plaçkiti veprat e artit, që kanë të bëjnë me historinë e krishterimit në rajon, i vetëquajturi Shtet Islamik vendosi të zhdukë nga faqja e dheut çdo referim publik për krishterimin. Sipas faqes së internetit “Baghdadhope”, xhihadistët kanë dhënë urdhër që “shitësit të ndryshojnë ato shenja në dyqan, që kujtojnë krishterimin, por edhe ato, që kanë të bëjnë me historinë në përgjithësi, duke përdorur emra, që i përshtaten më shumë diktaturës së vendosur në qytet”.

Edhe lagjet e Mosulit duhet të ndërrojnë emrat

Lagjja e “Qasr Al Matran” ( Pallati i kryeipeshkvit), sipas agjensisë katolike SIR, do të quhet “Ghasua” (që do të thotë pushtim ushtarak); lagjja e Hawi Al Kanisa, në bregun perëndimor të lumit Tigri, do të quhet “Jihad” (luftë e shenjtë) dhe; ajo e Di Hush Al Biya’ (Oborri i Kishës), ku gjenden shumë ndërtesa të Kishave të krishtera, do të quhet Al Khalifa (Kalifi).

Ndihma e Kishës kaldease për refugjatët myslimanë

E ndërsa Kalifati vazhdon veprën e tij të shpartallimit dhe të boshatisjes së kujtesës historike irakiane, Kisha kaldease mundohet të lehtësojë kushtet e jetës së shumë irakianëve. “Baghdadhope” njofton se patriarku kaldeas Mar Louis Raphael I Sako, i shoqëruar nga vikari patriarkal, imzot Basel Yaldo, dhe nga disa eksponentë të Karitasit të Irakut, çoi ndihma ushqimore dhe farmaceutike për 250 familje refugjatësh myslimanë të provincës së Anbarit dhe të Salahudinit. Familjet janë strehuar në një kamp përgjatë lumit Eufrat, në rrethinat e qytetit të Ramadit. Ndihmat u dhanë mundësi të festojnë fundin e muajit të Ramazanit, festën e Eid el-Fitr (Bajrami i Madh). Patriarku u uroi festën dhe i dha zë aspiratës së tyre për t’u kthyer sa më shpejt në shtëpitë amtare. Është e gjashta herë që Patriarkati i Kaldeasve dhe Karitasi i Irakut dërgojnë ndihma për familjet refugjate myslimane.

(Marrë, me ndryshime, nga gazeta italiane katolike “Avvenire”)








All the contents on this site are copyrighted ©.