Maria nga Magdala, e shëruar në shpirt nga Jezusi, nisi ta ndiqte Mësuesin Hyjnor
e t’i shërbente me dashuri të madhe (Lk 8,3). Në fund, kur të gjithë nxënësit kishin
ikur, Maria Magdalena ishte aty, tek këmbët e Kryqit të Krishtit, pranë Mësuesit Hyjnor,
përkrah Virgjërës Mari, Gjonit e disa grave (Gjn 19,25). Ditën e Pashkëve Jezusi iu
duk asaj dhe e çoi për t’i kumtuar nxënësve lajmin se ishte ngjallur” (Mk 16,9; Gjn
20,11-18). Kisha latine zakonisht e kremton së bashku në liturgji të tria gratë me
emrin Mari, për të cilat flet Ungjilli: Marinë e Betanisë, motrën e Lazrit e të Martës,
Mëkataren e paemër, “së cilës iu fal shumë, sepse deshi shumë”, e Marinë Magdalenë
ose prej Magdale, që e ndihmoi dhe e ndoqi Jezusin së bashku me gratë tjera, gjatë
udhës së kalvarit deri në kryqëzim.
Emri Mari kujtohet disa herë e në rrethana të ndryshme gjatë tregimit ungjillor e
Gregori i Madh ishte i mendimit se bëhej fjalë për një Mari të vetme. Ndërsa janë
tri. Shën Mari ishte nga Magdala, qytet i vogël i Galilesë. Në ungjillin e shën Lukës
shkruhet kështu për Të: “Ishin me Të (me Krishtin) të dymbëdhjetë apostujt dhe disa
gra, që qenë shëruar nga shpirtrat e këqij dhe nga sëmundjet: Maria e Magdalës, nga
e cila kishin dalë shtatë djaj, Gjovana, gruaja e Kuzës, administratorit të Herodit,
Suzana e shumë të tjera, që i ndihmonin me pasuritë e tyre”. Ndër ungjijtë, sa herë
që përmendet ky grup i nxënësve, Magdalena kujtohet e para, për të treguar nderimin
që gëzonte në bashkësinë e parë të krishterë. Ajo pati hirin të ishte dëshmitarja
e parë e Ngjalljes së Jezu Krishtit.
Për Marinë Magdalenë flasin të katër Ungjijtë. Kulti i nderimit të saj u përhap në
Kishën e perëndimit sidomos në shekullin XII. E lindur nga Magdala, qytezë peshkatarësh
pranë liqenit të Gjenezaretit në Galile. E pranuar ndër nxënësit e Krishtit, qe e
pranishme në vdekjen e Tij mbi kryq, dhe në mëngjesin e Pashkëve meritoi të shihte
e para Shëlbuesin e Ngjallur (Mk 16,9) dhe e para ju tregojë apostujve për Ngjalljen
e Krishtit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |