2015-07-22 17:22:00

Filipine. Ipeshkvijtë: t’u përgjigjesh ndryshimeve klimaterike, është drejtësi shoqërore


“Ndryshimet klimaterike u shkaktojnë vuajtje të rënda popullsive, duke ndikuar fuqimisht edhe mbi rrënimin e ambientit. T’u përgjigjesh, është detyrë. Me vetëdijen se njeriu nuk është zot i gjithësisë, por vetëm rojtar i saj”. E theksojnë këtë ipeshkvijtë e Filipineve në një notë, përhapur dje, në sa afrohet takimi i Kombeve të Bashkuara kushtuar ndryshimeve klimaterike.  Është fjala për takimin e Parisit, për të cilin po flitet shumë në të katër anët e botës. Takimi i madh po paraprihet, këto javë,  nga një sërë takimesh të tjera përgatitore.

“Ndryshimet klimaterike, shkruajnë prelatët, janë çështje e drejtësisë shoqërore”. Duke kujtuar Enciklikën e fundit të Papës Françesku, ipeshkvijtë filipinas theksojnë se “është detyrë e të krishterëve të shqetësohen për ekologjinë, për ndryshimet klimaterike dhe drejtësinë, duke nënvizuar se bota është dhuratë, të cilën e morëm falas e falas duhet edhe ta ndajmë me të tjerët”. Konferenca ipeshkvnore fton dioqezën, famullitë dhe shoqatat të programojnë takime informuese e formuese, duke kujtuar se ndryshimet  klimaterike u shkaktuan e u shkaktojnë fatkeqësi të rënda kombeve, bashkësive e popujve: “Kur nevojtarët ngrenë zërin - pohojnë ipeshkvijtë - është detyrë t’u japësh përgjigje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.