2015-07-21 16:27:00

Martin Camaj në përvjetorin e 90-të të lindjes


Duke shfletuar kalendarin historik, sot me 21 korrik kujtojmë përvjetorin e lindjes së poetit e albanologut, Martin Camaj, i cili pikërisht sot do të mbushte 90 vjeç. Poeti e albanologu i shquar shqiptar, Martin Camaj, lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik të vitit 1925,; vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Mynih të Gjermanisë. Ishte poet, shkrimtar dhe albanolog.

Në Shkodër, në kolegjin Saverian të Jezuitëve, mori edukatë klasike. Kur komunistët e mbyllën kolegjin, Martin Camaj arratiset nga vendlindje më 1948 për në Beograd ku studioi romanistikën, gjuhët klasike por mori mësime edhe nga teoria e letërsisë dhe gjuhëve sllave. Në verën e vitit 1956 largohet edhe nga Jugosllavia e shkon në Itali. Në Romë doktorohet e drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor, nën përkujdesjen e shkrimtarit të madh prof. Ernest Koliqit. Këtu njihet nga afër me botën arbëreshe. Nga Italia largohet në vitin 1961 dhe vendoset në Munih të Gjermanisë, ku specializohet në gjuhësinë shqipe. Në Munih, Martin Camaj ligjëron letërsinë shqipe deri në vdekje, më 1992.  

Është përfshirë po thuaj se në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Martin Camaj është edhe një ndër albanologët më të shquar, kryesisht me punimet mbi gjuhën shqipe, historinë dhe të sotmen e saj. Ndër studimet kryesore mund të përmendet: Meshari i Gjon Buzukut, Romë 1960; Tekst mësimor i gjuhës shqipe, Wiesbaden 1969; E folmja shqipe në provincën e Avelinos, Firence 1971; Gramatika shqipe, Wiesbaden 1984 si dhe antologjinë e Këngës shqiptare, Dussledorf 1974.

Po përmendim disa titujt të veprave të Martin Camajt

Nji fyell ndër male - Prishtinë 1953
Kanga e vërrinit - Prishtinë 1954
Djella (novelë) - Romë 1958
Legjenda - Romë 1964
Lirika mes dy moteve - Munih 1967
Poezi (1953-1967)- Munih 1967 [1]
Njeriu më vete dhe me të tjerë - 1978 [1]
Poezi 1981 [1]
Drandja (proza poetike)- Munih 1981 [1]
Rrathë (novelë) - 1981
Shkundullima - 1985
Karpa [1] (novelë)- 1987

Martin Camaj vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Lenggries të Bavarisë. Fjalët e fundit të poetit ishin: “Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë…gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Bâtë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”. Studiuesi më i njohur i Camajt është Hans-Joachim Lanksch.

Po e kujtojmë sot, në përvjetorin e linjdes, me poezinë “Elegji e Parë”:

Kur kam me qenë i këputun
nga mundi i vjetve të rrëpita sa 'i shkamb,
mos të vijë keq ty, Taze, për mue
të shtrimë mbi drrasat e vdekjes,
kingj i gatuem për flije.
Leni plakat të qajnë mbi mue at ditë
për njerzit e vet, vdekë qysh kur.
Edhe një amanet, moj grue:
kur vdiq im atë, premë dy qe
me ngimun të unshmit e thneglat e lamit
me grimca buke.
Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë
të ngishëm,
prandej ndër drekët e mija qitni
vetëm kafe të idhta.

Martin Camaj
 

                                                                                     








All the contents on this site are copyrighted ©.