2015-07-21 10:49:00

500 vjet më parë lindi shën Filip Neri, profet i gëzimit


Kisha Katolike, ajo e Romës në veçanti, përjetoi sot përvjetorin e njërit prej shenjtorëve të saj më popullorë: më 21 korrik 1515, lindi në Firence, Filip Neri, i cili shpejt do të zhvendosej në qytetin e Papës për të filluar një nga veprimtaritë më të jashtëzakonshme në favor të më të varfërve, ndërthurur me një gëzim ungjillor e me një spontaneitet, që mbetën shenjë nga më të njohurat e më të dashurat e apostullimit të shenjtit. Edhe Papa Françesku, më 26 maj, e përmendi këtë përvjetor në një mesazh.

         Pjetri, Pali e Filipi. Që prej 500 vjetësh, “Apostujt e Romës” janë tre. E kjo të thotë shumë për dashurinë e këtij qyteti për një njeri, të lindur në Firence, por të rilindur për romakët, në sheshet e udhët e Qytetit të Amshuar, në ato më të degraduarat, ku një meshtar shenjt mund edhe të ketë “erën e deleve” – siç thotë Papa Françesku – por “delet” e atëhershme qelbeshin nga sëmundja e varfëria, që zhvishte xhepat dhe shpirtin.

Në mesin e “periferive” të qendrës

         Kur Filpi Neri mbërriti në Romë, në vitin 1534, një rreze drite shndriti errësirën e mjerimit, që e kishte folenë ndër “gloriet” e Ara Pacis dhe ndër shkëlqimin e mermerit travertin të pallateve të fisnikëve. Qendra e Urbes kishte fytyrën e ndytë të perfierive të sotme e aty, Filipi merr një dhomë, në shën Jeronimin e rrugës Giulia. Gjatë ditës, kjo fytyrë simpatike e zemër e gëzuar i çonte kujtdo që takonte, ngrohtësinë e Zotit, mundësisht, të shoqëruar me një copë bukë. E akoma nuk ishte prift. Një përkëdhelje, një pëshpëritje plot fjalë të mira për ata, që vuajnë e gjëmojnë mbi kashtën e Spitalit të të Pashërueshmëve: këto ishin mjetet e Filipit. Gjatë natës, ky shpirt plot zjarr hynte në dialog kaq intim me Zotin, saqë shtrati i tij mund të konsiderohet pa dyshim si tremja e një kishe, ose si guri i një katakombe.

Buzëqeshur, gjithmonë

         Kjo, kujton Papa Françesku në mesazhin e tij për 500-vjetorin e lindjes së Shën Filip Nerit, e bëri “lajmëtar të apasionuar të Fjalës së Zotit”. Ky qe sekreti, që e ktheu në “gjahtar shpirtrash”. Atësia e tij shpirtërore, vëren Ati i Shenjtë, “duket qartë nga gjithë veprimtaria e tij, karakterizuar nga besimi tek njerëzit, nga mënjanimi i toneve të errta e të ngrysura, nga fryma e festës dhe e gëzimit, nga bindja se Hiri Hyjnor nuk e shtyp natyrën njerëzore, por e shëndosh, e forcon dhe e përsos”. Kështu, të gjithë bëheshin miqtë e tij, sepse ishte spontan, zgjidhte mjetet më të këndshme e më argëtuese për t’i edukuar njerëzit me virtytet e krishtera, pa harruar disiplinën.

Ora e Oratorit

         Kështu lindi Oratori, në mesin e lagjeve të qelbura, që parfumoheshin ditë për ditë nga dashuria e bërë njeri, jo për hir të ndonjë projekti, të parashikuar në letër e të llogaritur nga lart, por si lëmoshë e dhënë normalisht. “Falë apostullimit të shën Filip Nerit – pohon Papa Françesku – impenjimi për shpëtimin e shpirtrave bëhej sërish përparësi në veprimtarinë e Kishës; u kuptua edhe një herë se barinjtë e saj duhej të rrinin me popullin, për ta udhëhequr e për ta përforcuar në fe”. E bari u bë edhe ai vetë, Filipi, që në vitin 1551 shugurohet meshtar, pa ndryshuar aspak jetën e stilin. Me kohë, përreth tij, formohet bashkësia e parë, qeliza e Kongregatës së ardhshme, e cila në vitin 1575 miratohet nga Papa Gregori XIII.

“Uleni kryet”

         “Bijtë e mi, jini të përvujtë, uleni kryet; jini të përvujtë, uleni kryet”, u përsëriste të vetëve shën Filipi, i cili na kujton se për të qenë bij të vërtetë të Zotit, “nuk mjafton vetëm të nderojmë eprorët, por të nderojmë njerëzit si ne e ata më poshtë se ne, duke u përpjekur të jemi të parët, që e ulim kryet para tyre”. Edhe më: “Është më mirë t’i bindemi sakrestanit e portierit kur na thërrasin, se të rrimë në dhomë duke u lutur”. Filip Neri, apostulli i tretë i Romës, mbylli sytë për këtë botë në orët e para të 26 majit 1595. Por kurrë nuk u shua dinamizmi i dashurisë së tij. Romës, që përgatitet për Jubileun e Mëshirës, duket sikur i përsërit: “Nuk është koha për të fjetur, sepse Parajsa nuk është bërë për kolltuqet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.