2015-07-21 15:24:00

27-28 gusht: Asambleja e 28-të e Eparkisë arbëreshe të Ungrës


Eparkia arbëreshe e Ungrës po përgatitet për Asamblenë e saj të 28-të dioqezane dhe për Kursin e Azhurnimit Teologjik, që do të mbahen më 27 e 28 gusht në Frasnitë (Frascineto) të Kalabrisë. Tema e takimit është marrë nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Galatasve (3,27), që thotë: “…sa mbë Krishtin u pagëzuat, me Krishtin u veshët”. I pranishëm, për dy ditë në Frasnitë, edhe Sekretari i Kongregatës vatikanase për Kishat Lindore, imzot Cyril Vasil.

Pas Liturgjisë Hyjnore në kishën famullitare të Zojës së Madhe, të enjten paradite, pjesëmarrësit mblidhen në Sallën e Kongreseve të hotelit “La Falconara” për të dëgjuar përshëndetjen e ipeshkvit të Ungrës, imzot Donato Oliverio, si edhe kumtesën e murgut benedektin Adalberto Piovano mbi “Sakramentet fillestare të krishtera dhe familjen: të edukohemi në fe”. Pasdite, imzot Cyril Vasil do të flasë për “Pagëzimin: Sakrament i identitetit të të krishterëve dhe i bashkimit ekumenik”. Pas lutjeve mbrëmësore, darka dhe një koncert i të rinjve të famullisë.

Të premten, më 28 gusht, zv.sekretari i Kongregatës për Kishat Lindore, imzot Lorenzo Lorusso, do të mbajë kumtesën me temë “Katekumenati: norma juridike e praktika baritore”. Krejt takimi mbyllet me debate e diskutime për temat e dy ditëve. Në ftesën e tij, ipeshkvi i Ungrës, imzot Donato Oliverio, sqaron se në fund të gushtit përfundon puna e vitit baritor, përqendruar pikërisht në Sakramentet fillestare të krishtera në Kishën bizantine katolike arbëreshe në Heparkinë e Ungrës. Edhe ajo, në përkim me Kishën Italiane e me mësimet e Papës Françesku, po ecën drejt Sinodit për Familjen e drejt Kuvendit italian kishtar të Firencës.

 “Reflektimi ynë për Sakramentet e hyrjes në krishterim – shkruan imzot Oliverio – pohon se në to gjendet identiteti dhe dinjiteti i njeriut e përmes tyre, arrijmë ta njohim njëri-tjetrin si të krishterë e të jetojmë sipas planit të Zotit, në vendin, në fushën e në kohën, që i është caktuar secilit, si talent për t’u zhvilluar që të japë frytin e jetës së mirë, e cila duhet ndarë me të gjitha krijesat”.








All the contents on this site are copyrighted ©.