2015-07-20 18:24:00

Siri: në Hassakè, rrethohen xhihadistët. Kthehet imzot Hindo


Së paku 70 vullnetarë armenë kanë hyrë në radhët e kurdëve të Ushtrisë së Mbrojtjes Popullore, e cila, paralelisht me ushtrinë siriane, po lufton për të çliruar qytetin e Hassakè-së nga milicët e Shtetit Islamik (Isis). Kurdët japin edhe disa lajme për gjendjen në terren, duke sqaruar se milicitë xhihadiste janë në vështirësi, me 1200 militantë të rrethuar në disa lagje të qytetit, pa rrugë për të ikur.

Me Imzot Hindon kthehen edhe disa familje

         Dje, helikopterët e qeverisë bombarduan zonat, akoma nën kontrollin e Shtetit Islamik. Aktivistët lokalë tregojnë se njerëzit po kthehen dalëngadalë në shtëpitë e tyre. Agjencia Fides njofton se është kthyer edhe kryeipeshkvi siro-katolik, Jacques Behnan Hindo, pasi u strehua për disa javë në Qamishli, së bashku me besimtarët.

Nga Hassaké kishin ikur 4 mijë familje të krishtera

         Qyteti sirian Hassaké, më i madhi i provincës së Jazira-s, u vu në shënjestër nga ofensiva xhihadiste, në fund të qershorit. Milicët e Isis-it arritën të shtinin në dorë disa lagje, duke shkaktuar eksodin masiv të mëse 120 mijë vetëve, Ndër të parët, që u larguan, ishin rreth 4 mijë familje të krishtera, të cilët u përkasin Kishave kaldease, asire, siro-katolike dhe siro-ortodokse. Akoma, shumë prej tyre, jetojnë si refugjatë në zonën urbane të Qamishlit.








All the contents on this site are copyrighted ©.