2015-07-17 13:54:00

Publikohen bilancet e Selisë së Shenjtë dhe të Governatoratit


Bilanci i konsoliduar i Selisë së Shenjtë për vitin 2014 shënon një deficit prej 25,621 milion eurosh, ndërsa bilanci i Governatoratit ka shenjë pozitive për një shumë prej 63,519 milion eurosh. Dje, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri të njohura këto shifra, të cilat u paraqitën në mbledhjen e Këshillit për Ekonominë, më 14 korrik. Viti 2014, vihet në dukje në komunikatë, ka qenë vit tranzicioni drejt politikave të reja financiare, bazuar mbi standartet ndërkombëtare për sektorin publik. Bilancet janë rishikuar nga një revizor i jashtëm, i cili i ka miratuar, duke dhënë çertifikatën përkatëse (clear audit certificate).

         Pasuria e përgjithshme neto është rritur me 939 milion euro, por në të nuk përfshihet bilanci i Fondit të Pensioneve të Vatikanit. Shpenzimet më të mëdha të Selisë së Shenjtë kanë të bëjnë me pagesën e personlit, që arrin në 126,6 milion euro për 2.880 punonjës, të shpërndarë në 64 ente. Ndërkaq, bilanci pozitiv i Governatoratit varet më së shumti nga prania e Muzeve të Vatikanit, të cilat vizitohen nga mëse 5 milion njerëz në vit, duke u renditur në vendin e gjashtë ndër muzeumet e gjithë botës.

         Përsa i përket vitit 2015, në buxhet parashikohet humbje për bilancin e konsoliduar, ndërsa vijon zbatimi i praktikave të reja për t’ia përshtatur sistemin financiar të Vatikanit atij ndërkombëtar, siç është kërkuar edhe nga Ati i Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.