2015-07-17 14:22:00

Papa Françesku: të dëgjohet britma e viktimave të shfrytëzimit minerar


Respektimi i dinjitetit njerëzor: hapi i parë, për të dëgjuar britmën e bashkësive të dëmtuara nga shfrytëzimi i minierave. Papa Françesku i shkruan kardinalit Peter Turkson, kryetar i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, i cili, së bashku me rrjetin latinoamerikan “Kisha dhe minierat”, që sot e deri të dielën, ka organizuar në Romë, ditët e reflektimit me temë “Të bashkuar në Zotin, t’u dëgjojmë britmën”.

 “Të rijehojë – shkruan Ati i Shenjtë – britma e shumë njerëzve, familjeve e bashkësive, që vuajnë drejtpërdrejt ose tërthorazi, për shkak të pasojave, shpesh negative, të veprimtarisë në miniera. Britmë për tokën e humbur; britmë për shfrytëzimin e pasurive të nëntokës, që paradoksalisht, nuk ka sjellë pasurimin e popullsive vendase, të cilat kanë mbetur të varfëra; britmë dhimbjeje si reagim për dhunën, kërcënimet e korrupsionin”.

“Britmë zemërimi e thirrje për ndihmë – pohon më tej Papa – kundër dhunimit të të drejtave të njeriut, shkelur haptas ose fshehtas, kur është fjala për shëndetin e popullsive, për kushtet e punës, nganjëherë për skllavërinë e trafikun e njerëzve, që ushqen fenomenin tragjik të prostitucionit; britmë trishtimi e pafuqie për ndotjen e ujit, të ajrit e të tokës; britmë moskuptimi për mungesën e proceseve gjithëpërfshirëse e përkrahëse nga ana e autoriteteve civile, lokale e kombëtare, të cilat kanë si detyrë themelore promovimin e së mirës së përbashkët”.

Papa Françesku, ashtu si në Enciklikën “Lëvduar qofsh”, bën sërish thirrje të kujdesemi për “shtëpinë e përbashkët”, duke u kërkuar qeverive e shoqërive shumëkombëshe të kontribuojnë që sektori minerar të ndryshojë krejtësisht në shumë vende, në funksion të krijimit të një “familjeje të vetme njerëzore”. Gjithçka është e lidhur, nënvizon Ati i Shenjtë, prandaj, kujdesi për jetën e njeriut e për marrëdhëniet e tij me natyrën nuk mund të ndahet nga vëllazërimi, drejtësia e besnikëria ndaj të tjerëve. Kultura e nevojshme për të përballuar krizën aktuale, përfundon Papa, krijohet duke u nisur nga dinjiteti njerëzor. 








All the contents on this site are copyrighted ©.