2015-07-17 14:00:00

Ndërmjet të Nderuarve të rinj, edhe ipeshkvi i Veronës, Giuseppe Carraro


Papa Françesku priti dje pasdite në audiencë Kardinalin Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, duke autorizuar dikasterin të shpallë Dekretet lidhur me virtytet heroike të 8 Shërbëtorëve të Nderuar të Hyjit. Ndërmjet tyre, ipeshkvi i Veronës, imzot Giuseppe Carraro, vdekur më 1980. Bir i një familjeje të varfër, arriti të diplomohej në shkenca natyrore. I shguruar meshtar kur ishte vetëm 24 vjeç e ipeshkëv, 53, qe bari i Veronës për njëzet vjet. “E ofroj jetën time të varfër  – shkruante -  me gjithçka të dojë Zoti - me vuajtjet, veprimet, shërbimin e lutjen, posaçërisht për shenjtërimin e meshtarëve: që të mos dredhojnë rrugë, të mos i lëshojë zemra, të mos i tradhtojnë kurrë lidhjet e shenjta që i bashkojnë me Krishtin, me Kishën, me popullin e krishterë”. Të krishterëve të Veronës u thoshte: “Zoti nuk ju thirri për jetë borgjeze, mediokre, jetë kompromisesh. Ju thirri për jetë plot zell, dashuri të krishterë, fe të çeliktë, koherente e vepruese”. E mobilizoi dioqezën për veprimtari bujare solidarieti në rastin e fatkeqësisë së Vajont, të përmbytjeve të Firences dhe të tërmeteve të Belices, Friulit e Irpinia-s.

Shtatë të Nderuarit e tjerë janë:

- Andrea Szeptyckyj (në shekull: Romano Alessandro Maria), i Urdhërit të  Shën Bazilit, Kryeipeshkëv i Madh i Leopolit të Ukrainasve, Mitropolit i Halyc; i lindur më 29 korrik 1865 a Prylbyci (Ukrainë), vdiq në Leopoli (Ukrainë) më 1 nëntor 1944;

- Agostino Ramírez Barba, Prift Dioqezan, Themelues i Kongregatës së Motrave Shërbëtore të Zotit të Mëshirës. I lindur më 27 gusht 1881 në San Miguel el Alto (Meksikë), vdiq në Tepatitlán (Meksikë) më 4 korrik 1967;

- Simpliciano i Lindjes së Krishtit (në shekull: Aniello Francesco Saverio Maresca), Meshtar i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, Themelues  i Kongregatës së Motrave Françeskane të Zemrave të Shenjta: i lindur në  Meta di Sorrento (Itali) më 11 maj 1827, vdiq në Romë (Itali), më 25 maj 1898;

- Maria e Strehës Aguilar y Torres, vejusha Cancino, Themeluese e Kongregatës së Murgeshave Mercedare të të Shenjtnueshmit Sakrament; e lindur në San Miguel de Allende (Meksikë) më 21 shtator 1866, vdiq në    Qytetin e  Meksikos (Meksikë), më 24 prill 1937;    

- Maria Teresa Dupouy Bordes, Rregulltare e Shoqërisë së Zemrës së Krishtit, themeluese e Kongregatës së Misionareve të Zemrave të Shenjta të Jezusit e Marisë; e lindur në Saint Pierre d’Irube (Francë), më  6 maj 1873, vdiq në San Sebastián (Spanjë) më 26 maj 1953;

- Elisa Miceli, Themeluese e Institutit të Motrave Katekiste Fshatare të Zemrës së Krishtit; e lindur në Longobardi (Itali) më 12 prill 1904, vdiq në Fraskati (Itali) më 19 prill 1976;

- Isabella Méndez Herrero (në jetën rregulltare  Izabela e  Zojës së Papërlyer), Rregulltare e Kongregatës së Shërbëtoreve të Shën Jozefit; e lindur  në  Castellanos de Moriscos (Spanjë) më 30 gusht 1924, vdiq në  Salamankë (Spanjë), më 28 dhjetor 1953.








All the contents on this site are copyrighted ©.