2015-07-17 12:34:00

Fjalët e Papës Françesku gjatë shtegtimit në Amerikën Latine


Këto ditë vijojnë, në mbarë botën, komentet dhe reflektimet për fjalët e fuqishme të Papës Françesku gjatë shtegtimit të tij të fundit në Amerikën Latine. Po rikujtojmë disa prej tyre:

Sistemi që vret, mund të ndryshohet

Një nga mesazhet më të forta të Papës gjatë këtij shtegtimi në Amerikën Latine, është thirrja drejtuar popujve të tokës për ta ndryshuar “sistemin” që sundohet nga paraja, që e shtrydh njeriun e që nuk është në gjendje të mbahet më në këmbë! Duhet bërë një ndryshim i thellë, i njëmendtë. E edhe i shpejtë, sepse duket se koha po shkon drejt cakut të fundmë. Duhet bërë një ndryshim, që niset nga poshtë, nga të varfërit, nga njerëzit e thjeshtë. Kisha e mbështet këtë ndryshim, sepse “Zoti e dëgjon britmën e popullit të vet”, e dashuria vëllazërore rebelohet kundër padrejtësive shoqërore. Feja jonë, kujton Françesku, është revolucionare e nuk dorëzohet, nuk rri duarkryq përballë dhimbjes së njeriut. Mund ta ndërtojmë një shoqëri njerëzore, mund ta realizojmë një shoqëri të ndryshme nga ekonomia që vret e përjashton. E kjo nuk është utopi!

Metoda: dialogu dhe identiteti, urat jo muret

Nuk ekziston ndonjë recetë për këtë projekt të vëllazërimit e të drejtësisë, nënvizon Papa. Por nuk mungon metoda; ajo e dialogut. “Duhen ndërtuar ura, jo mure. Duhet dialogu, që niset nga një identitet i fortë, sepse  dialogu pa identitet nuk ka kurrfarë vlere. Është takimi, që di të pranojë se larmia është jo vetëm e mirë, por edhe e nevojshme. Sheshimi na asgjëson, na bën automatë. Larmia përbën pasurinë e jetës. Pa harruar se të dialogosh nuk do të thotë të bësh pazarllëqe, sepse identiteti nuk mund të shitet as të blihet. Identiteti nuk nxirret në treg. Identitet do të thotë të kërkosh të mirën e përgjithshme, pa u trembur nga dialogu, që mund të përfundojë edhe në konflikt. Duhet pranuar edhe konflikti, duke u përpjekur për ta zgjidhur, me perspektivën e arritjes së unitetit e jo të uniformitetit; unitetit në larmi.

Ideologjitë e kolonizimet bëhen diktatura

Në këtë kuptim, Papa tërheq edhe një herë vëmendjen për t’u ruajtuar, edhe në frontin e familjes, nga kolonizimet e reja ekonomike dhe idelogjike, që duan të sheshojnë gjithçka e t’u imponojnë rregullat e veta njerëzve më të ligshtë. Duke denoncuar idelogjitë e vjetra e të reja, Papa pohoi se  ka alergji nga fjalimet  “e përfryra”, plot me fjalë buçimtare për ideale të mëdha si vëllazëria, drejtësia, paqja, dinjiteti. Sa fjalë kësisoji fliten çdo ditë në botë! Fjalë  boshe. Fjalë rrenacake. Fjalë pa pikë konkretësie. Fjalë që përdoren nga ideologjitë: “Ideologjitë mbarojnë keq, nuk duhen gjë, kanë lidhje të paplota, të sëmura ose të këqija me popullin. Prej këndej, ideologjitë përfundojnë gjithnjë në diktatura ... mendojnë për popullin, pa e lënë të mendojë... punojnë për popullin, pa e përfillur fare popullin”.

Të krishterët të marrin pjesë në ndryshimet

Papa Françesku i fton me forcë të krishterët të marrin pjesë në ndryshimet. Nuk mund as të përfytyrohet një i krishterë i vërtetë indiferent, që nuk reagon fare kundër padrejtësisë, kur nuk e prek atë vetë. Një i krishterë me “zemër të mbyllur në bunker”, që kalon pranë dhimbjes së njerëzve, pa u ndaluar fare. Feja, vijoi Papa, na bën të afërt me jetën e të tjerëve. Feja ngjall solidaritetin tonë me të tjerët. Feja, që nuk bëhet solidaritet, është fe e vdekur, fe false. Është fe pa vëllezër. Fe pa Zot. Nuk është fe në Krishtin!

Jo një kastë njerëzish të ndryshëm, po njerëz të prekur nga mëshira

Papa i nxit të krishterët të mos mbyllen në një kastë njerëzish të ndryshëm, që e shikojnë identitetin si çështje epërsie e rrethohen me mure, për t’u veçuar nga të tjerët, sepse “nuk janë si të tjerët”. Jo, i krishteri nuk është kështu. I krishteri është njeri, që di ta mikpresë të varfërin, të ligshtin, tjetrin, që nuk mendon si ai. Nuk është më i mirë se tjetri, por është i prekur nga dashuria përdëllyese e shëruese e Jezusit. Të ungjillëzosh, atëherë, nuk do të thotë të vësh në jetë një strategji, por të jesh dëshmitar mirënjohës i mëshirës, që shndërron e dhuron gëzim.

Zemra hyjnore e njerëzore e Jezusit na do shumë

Papa Françesku e mori me vete kryqin me drapër e çekan, dhuruar në Bolivi, Një vepër e ngjashme me atë, që pati krijuar atë Espinal, vrarë më 1980, gjatë diktaturës, sepse predikonte Ungjillin e lirisë. Një Ungjill që besdis, e edhe sot e kësaj dite shkakton genocidin e të krishterëve. Papa kujtoi, me këtë rast, se Kisha e ka hedhur poshtë teologjinë e çlirimit, sipas analizës marksiste. Po atë Espinal luftonte me besimin se ishte përkrah të së drejtës e të drejtëve. Prej këndej, Krishtin e mora me vete, tregon Papa, sepse Krishti shkon përtej çdo ideologjie e pranë çdo njeriu. Ngarkohet me të gjitha mëkatet tona pikërisht sepse dëshiron ta shpëtojë njeriun. Mëshira e Hyjit, vëren Papa, është zemra hyjnore e njerëzore e Jezusit, që na do aq shumë.  








All the contents on this site are copyrighted ©.