2015-07-16 11:29:00

Përvjetori i zbarkimit të njeriut në Hënë


Si sot e pikërisht më 16 korrik 1969, nga SHBA-të fillonte udhëtimi i parë i suksesshëm i njeriut drejt Hënës me anijen kozmike Saturn V nga Kennedy Space Center. Pas pesë ditësh, më 21 korrik 1969 në ora 02:56 UTC në sipërfaqen hënore do të vinin këmbën tre astronautët e parë të misionit “Apollo 11”, Neil Armstrong, Edwin Aldrin dhe Michael Collins. Qe një nga fitoret më të mëdha të njerëzimit, pasojat e së cilës i ndihen edhe sot.

Këtu njerëzit e planetit Tokë, për herë të parë vunë këmbë në korrik të Vitit të Zotit 1969. Kemi ardhur në paqe për krejt njerëzimin”. Poshtë këtij mesazhi, firmat e tre astronautëve, që e lanë targën mbi sipërfaqen hënore. E bashkë me të, edhe një disk (pararendësi i Kompakt Diskut të sotëm) me mesazhet e 73 personaliteteve nga e gjithë bota, ku Papa i atëhershëm Pali VI firmoste pjesë të marra nga Psalmi n. 8 i Biblës.

Ati i Shenjtë Papa Pali VI e ndoqi me interesim të jashtëzakonshëm zbarkimin e njeriut mbi Hënë, foli në audiencat e përgjithshme të atyre ditëve të vitit 1969 dhe u dërgoi një mesazh, menjëherë pas zbarkimit, Presidentit të atëhershëm amerikan, Riçard Nikson dhe tre austronautëve. Kronikat e kohës tregojnë se Papa Pali VI ndodhej në Spekolën e Vatikanit në Kastelgandolfo dhe para se ta ndiqte zbarkimin minut për minut, qëndroi në këmbë duke e vështruar Hënën për një kohë të gjatë, gati në lutje.

Këtu, ju flet ju astronautëve, nga Spekola e tij në Kastelgandolfo, pranë Romës, Papa Pali VI – thuhet në mesazhin e Atit të Shenjtë Montini. Nderime, përshëndetje e bekime për ju, fitimtarë mbi Hënë, dritë e zbehtë e netëve dhe e ëndrrave tona! Çoni atje, me praninë tuaj, zërin e shpirtit, himnin kushtuar Zotit, Krijuesit dhe Atit tonë. Ju jemi pranë me ndjetet e lutjet tona. Ju përshëndet, sëbashku me krejt Kishën Katolike, Papa Pali VI!”

Janë së paku 30 mijë, objektet e ndryshme të prodhuara duke përdorur teknologjinë e eksperimentuar në vitet e garës për zbarkimin në Hënë ndërmjet SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik. Shumë prej tyre janë bërë tashmë të zakonshëm për jetën e përditshme. Mjafton të kujtojmë pëlhurën “goretex” të tutës së astronautëve, që sot përdoret për xhakoventat; zinxhirët me ngjitje-shqitje në vend të komçave apo zinxhirëve metalikë; çamçakëzët me fluor dhe veshjen me teflon e tenxhereve, etj.

Sipas ekspertëve, 25 miliard dollarët që NASA shpenzoi për misionin kanë qenë “investimi më i mirë që nga koha kur Leonardo da Vinçi bleu një fletore për skicat e tij”. Për çdo dollar të shpenzuar atëherë janë fituar tre. Tek zbarkimi në Hënë e kanë origjinën edhe mikroprocesorët me të cilët ndërtohen kompiuterat, fillesat e fabrikave moderne të robotizuara, ushqimet e liofilizuara, që gjenden tashmë në çdo spuermarket, orët me kuarc, pajisjet shtëpiake me bateri të rikarikueshme, si edhe teknologjia bazë për satelitët meteorologjikë e telekomunikimet e zbatime të tjera në mjekësi.








All the contents on this site are copyrighted ©.