Festa e së Lumes Mari Virgjër e Malit Karmel, që kremtojmë sot më 16 korrik, ndër
shqiptarë njihet si festa e Zojës Karmë. Ky emërtim me të cilin Zoja e Bekuar nderohet
në Kishë lidhet me Malin Karmel në Palestinë. Emri ‘Karmel’ vjen nga aramaishtja e
do të thotë “Kopsht”. Është një kopsht natyror i Galilesë, shumë i gjelbër me pyetjet
e bukura e një lartësi prej 546 metrash. Është “kopshti” i shpirtit që Elia profet
kishte zgjedhur për vete, si vend e simbol i lartësimit drejt Zotit e beteje kundër
meshtarëve të zotit Baal. Mbi historinë e lashtë të rrëfyer nga Bibla në Librin e
Dytë të Mbretërve, zhytën rrënjët shpirtërore të Malit Karmel. Mbi këtë mal në shekullin
e XII pas Krishtit, ekzistonte një grup murgjish oshënarë e asketë, që i kushtoheshin
lutjes e meditimit të Fjalës së Zotit, të cilëve Patriku latin i Jerusalemit në vitin
1208 u dha rregulloren e jetës murgare, e cila më vonë u miratua nga Papa Onorio II
më 1226.
Prania e murgjve oshënarë mbi Malin Karmel, sikur përmendem, lidhet me traditën e
përshpirtërisë që ka zanafillën e vet në shekullin e IX para Krishtit, në epokën e
Profetit Elia dhe Elizeut si dhe me “bijtë e profetëve”. Në mënyrë të posaçme përshpirtëria
e nderimi ndaj Zojës së Bekuar, kultivuar nga murgjit oshënarët e mistik të Karmelit
dhe nga ata e përhapur, lidhet me vegimin e resë së vogël që Elia profet, pati në
atë vend, si shenjë paralajmëruese të reve që do të sjellnin shiun kaq të dëshiruar
e të frytshëm pas tri vjet thatësie. Ja si e përshkruan Libri i Parë i Mbretërve:
“Elia u ngjit në majë të Karmelit, u ul për tokë dhe fshehu fytyrën ndërmjet gjunjëve,
e i tha djaloshit të vet “ngjitu lart e shiko drejt detit”. Ky u ngjit, e hodhi shikimin
e tha : “asgjë nuk hetoj”. Përsëri i tha: “kthehu shtatë herë!”. Të shtatën herë djaloshi
tha: “Ja, një re e vogël, pothuaj sa dora e njeriut, po ngjitet nga deti”. Atëherë
Elia i tha: “Ngjitu e thuaj Akabit: Mbërthe e zbrit që të mos zërë shiu!” Menjëherë
u terratis qielli e prej resh ra një shi i rëndë. Dora e Zotit ishte mbi Elinë.( I
Mbret 18,44).
Kjo re që solli shiun shpëtimprurës në kohën e Elisë profet, ishte simboli i Marisë
që solli Jezusin e pritur e Shpëtimtarin e të dëshiruar me gjithë shpirt. Karmeli
nuk ishte larg nga Nazareti ku Maria pati jetuar duke e ruajtur në zemër, kujtimet
e jetës të Jezusit, Djalit të saj Hyjnor, duke i mishëruar kujtimet në vepra e virtyte
ungjillore: në lutje të pareshtur e të flaktë , në shërbim, përvujtëri, pastërti e
flijim.
Pas miratimit nga Papa Onori II e braktisjes përfundimtare të Palestinës, Urdhri murgar
i oshënarëve, mes shumë vështirësish e problemeve, u përhap në vende të ndryshme të
Evropës. I rrethuar me vështirësi e ngushtica të mëdha, më 1245 eprori i përgjithshëm
i Urdhrin të Karmelitanëve, anglezi Simon Stock iu drejtua me dashuri e besim të posaçëm
Virgjërës Mari duke kërkuar ndihmë. E Zoja e Bekuar, sipas të dhënave, më 16 korrik
të vitin 1251 iu shfaq eprorit të përgjithshëm të murgjve të malit Karmel, Simon Stock.
Gjatë këtij vegimi, Zoja e Bekuar kishte në dorë “skapolarin” e urdhrit të Karmelit
e duka ia ofruar Shenjtit i tha: ”Për ty e për të gjithë Karmelitanët ky do të jetë
një privilegj: kushdo që do të vdes me këtë, nuk do ta vuajë dënimin e amshuar”. Ishte
premtimi i dhuratës së veçantë, ai i ruajtjes përfundimtare nga dënimi i përjetshëm
për ata që e bartnin skapolarin e Karmelit. Këtij premtimi të Virgjërës Mari, u shtua
edhe një tjetër, i njohur me emrin “ privilegji i së shtunës”, që do të thotë premtimin
e shpëtimit nga ferri, për të gjithë ata besimtarë që do ta bartnin skapolarin dhe
lirimin nga dënimi i Purgatorit, të shtunën pas vdekjes. Ky privilegj u shpall zyrtarisht
nga Papa Gjoni XXII në Avinjon më 1322. E qenë pikërisht Papët, të cilët gjatë historisë
me ndërhyrjet e tyre i dhanë privilegjit të hireve të Zotit, që besimtarët fitojnë
përmes ndërmjetësimit të Zojës Karmelit, vlerë që askush nuk mund ta nënvlerësoi.
Papa Benedikti XVI, pikërisht në Lë Kombë, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot më
16 korrik të vitit 2006 me tjerash nënvizoi vlerën e kundrimit që buron nga feja e
vërtetë dhe e pastër në Zotin dhe përmendi figurat e njohura që ka dhënë Urdhri i
Karmelitanëve e Karmelitaneve: “Më i famshmi ndër këta njerëz të Zotit qe profeti
i madh Elia, që në shekullin e IX para Krishtit, mbrojti trimërisht e në mënyrë të
paepur nga kontaminimi (ndotja e infektimi) i kultit të idhujve, pastërtinë e fesë
në një Zot të Vetëm e të vërtetë. Pikërisht duke u frymëzuar nga figura e Elisë, lindi
Urdhri kundrues i ‘Karmelitanëve’, familja rregulltare që pati ndër anëtarët e vet
shenjtorë të mëdhenj si Tereza e Aviles, Gjoni i Kryqit, Tereza e Jezusit Fëmijë e
Tereza Benedikta e Kryqit ( në shekull, Edith Stein)”.
E duke nënvizuar lidhjen e ngushtë të Karmelitanëve me Zojën e Bekuar, Benedikti XVI
theksoi: “Karmelitanët e kanë përhapur në popullin e krishterë devocionin ndaj
së Lumes Mari Virgjëra të Malit Karmel, duke e paraqitur atë si shembull të lutjes,
të kundrimit e të përkushtimit ndaj Hyjit. Maria, vërtet, e para e në mënyrë të pakalueshme,
pati besuar e përjetuar se Jezusi, Fjala e Zotit e mishëruar, është kulmi, maja e
takimit të njeriut me Zotin. Duke e pranuar plotësisht Fjalën, që i ‘mbërrini hareshëm
nga bjeshka e shenjtë’, jetoi përgjithmonë, në shpirt e në trup, me Zotin”.
Kujtojmë se Skapolari, ashti si Rruzarja, është ndër devocionet më të lashta e më
universale të Kishës. Vet Zoja e Bekuar në Fatima të Portugalisë, gjatë vegimit përfundimtar
të 13 tetorit të vitit 1917, u paraqit si Zoja e Karmelit me Skapolarin e Shenjtë.
E motra Luçie, vegimtarja e Zojës Bekuar në Fatima, pati thënë: “Veshja, shenjë dalluese
e bijve të Marisë, është shenjë e mbrojtjes së Nënës Qiellore, e Nënës së Mëshirshme,
është qortim për një jetë të denjë e të shenjtë, në përkim me mësimet Ungjillore.
Zoja e Bekuar donë që të gjithë ta bartin Skapolarin e Karmelit”, që të gjithë njerëzit
të shpëtohen në Jezu Krishtin Shëlbues.
Prandaj Virgjëra Mari na paraqitet si dritë e Kishës, që na tregon si duhet të jemi
e si, për fat të keq, nuk jemi. Është ajo Kisha që e dhuron plotësisht vetveten; është
ajo Vasha e Besëlidhjes së Re, që i thotë çdo ditë "po" Atit të gjithëpushtetshëm
Hyjnor.
E tani dy fjalë mbi domethënien e "skapolarit". Fjala skapolar vjen nga latinishtja
e do të thotë shpatull. Skapolari është pjesë e petkut të disa Urdhrave rregulltare
e është një lloj shalli: përbëhet nga dy copa stofi, që varen përgjatë trupit, para
e mbrapa, me një të çarë në mes për të përshkuar kokën. Ngjyra e tyre varet nga urdhri
fetar të cilit i përket rregulltari. Për Karmelitanët, skapolari është ngjyrë gështenjë.
Ky petk ka edhe formën e vet simbolike: dy copa të vogla stofi, lidhur me dy shirita,
gjithnjë me ngjyrën e urdhrit, që varen në qafë poshtë veshjeve të zakonshme. Petku
ka një rëndësi të madhe në lindje. Është shenjë e ndryshimit të gjendjes, të kushteve
shoqërore e fetare. Atëherë kuptohet pse Virgjëra Mari, sipas traditës karmelitane
- ia pati dhënë skapolarin Shën Simon Stokut, duke i premtuar se kush do ta vishte
këtë petk, do të kishte ndihmën e saj në jetë e në vdekje. Por, të mos harrojmë, të
vishesh me skapolarin do të thotë të vishesh me Krishtin, të hysh, siç thotë Shën
Pali Apostull, në gjallërinë e jetës së Krishtit, në stilin marian të përshpirtërisë,
të kesh një zemër, e cila kundron misterin e Krishtit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |