2015-07-15 13:17:00

“Civiltà Cattolica”: xhihadizmi zë vendet bosh të kulturës perëndimore


“Xhihadistët ekstremistë hyjnë në vetë zemrën e kulturës perëndimore për të zënë hapësirat bosh të lëna nga mendësia e konsumit, e pushtetit dhe e hedonizmit, që nuk i përgjigjet pyetjeve themelore për domethënien e jetës njerëzore”. Kjo është analiza e revistës së njohur të jezuitëve italianë “La Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik), e cila, në editorialin e numrit të fundit, komenton ndikimin e tre atentateve të të ashtuquajturës “E premtja e zezë” e 26 qershorit të këtij viti. Në tre kontinente të ndryshme, në tre vende simbolike - një fabrikë, një plazh e një xhami - kalifati i Isis konsolidoi “arritjet” e një viti: Abu Bakr al Baghdadi qe në gjendje ta vendosë çështjen e integralizmit islamik në panoramën gjeopolitike e mediatike botërore.

Ekstremizmi ka krijuar hendek edhe me vendet myslimane

            Përveç kësaj, nënvizon revista, ekstremizmi “ka krijuar edhe tension të jashtëzakonshëm, duke përhapur terrorin përmes mediave, që transmetojnë ekzekutimet e kokëprerjet. Mjeti i tij i propagandës përdor teknikat më të fundit për të ngjallur emocion global. Kalifati siguroi kontrollin e territorit dhe vazhdon të përhapë mesazhin e tij radikal në të gjithë planetin. Nxit një lloj egërsie të paparë, duke krijuar hendek edhe me vendet myslimane, që duan të ndjekin rrugën e demokracisë e të respektit ndaj njerëzve e ndaj lirisë së tyre; është sistem ideologjik, që i mban njerëzit të mbërthyer në fundamentalizmin radikal”.

Faktorët, që kontribuojnë në përparimin e Kalifatit

            Faktorët që kontribuojnë në përparimin e Kalifatit, sipas revistës së jezuitëve, janë dy: “përçarja e Lindjes së Mesme dhe paaftësia e fuqive perëndimore të veprojnë në ato territore”,  si edhe paraqitja e zgjuar e integralizmit si “alternativë e regjimeve islamike të korruptuara”. Problemi që shtron kalifati para botës “nuk ka të bëjë vetëm me fitoren e tij në një territor rajonal”, por me synimin për të rekrutuar të rinj. Rreth 3 mijë të rinj janë bashkuar me Isis nga Tunizia, Evropa e madje, edhe nga Australia. Përmes internetit, të gjithë mund t’i konsultojnë faqet e Kalifatit dhe premtimet e tij, që nga getot e periferive e deri nëpër burgje, ku gjendjen gjithnjë shpirtra të pakënaqur e radikalë, shpirtra në ankth, të gatshëm ta shndërrojnë shqetësimin e tyre në dëshirë për luftë, pa pyetur me kë.

Isis vepron, duke sjellë shkatërrimin në hapësirën e pambuluar nga Perëndimi

            Kështu, “xhihadistët hyjnë në zemrën e vetë kulturës perëndimore”, shkruan “La Civiltà Cattolica”. Për ta, politika “kuptohet si lojë për pushtet, udhëhequr nga njerëz ambiciozë e, jo si shërbim për të mirën e përbashkët”. Familjet, “shpesh të ndara, nuk i përgjigjen më nevojës së vërtetë për autoritet, që e formon personalitetin. Kështu, shumë të rinj janë në kërkim të normave e rregullave për jetën”, që nuk i gjejnë më në familje, por mund t’i hasin në radikalizmin islamik. Pra, pak rregulla, por të qarta e të kuptueshme, të lehta për t’u ndjekur, megjithëse të skajshme: këtë u ofron atyre Isis. “E fshehur pas gjuhës së dhurimit të vetvetes, mbrapshtia e këtij funksionimi, që fsheh mizoritë e dhunës, sjell një shkatërrim të përgjithshëm në boshllëkun e universit tonë perëndimor”, paralajmëron revista “Qytetërimi Katolik”.








All the contents on this site are copyrighted ©.