2015-07-15 16:11:00

Vatikan: ballafaqim i kryebashkiakëve të botës për klimën e skllavëritë


Kryebashkiakët e mbarë botës, së bashku me governatorët vendas dhe delegatët e OKB-së, priten në Vatikan më 21 e 22 korrikun e ardhshëm, për të marrë pjesë në dy ditë diskutimesh operative, organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave dhe e Shkencave Shoqërore, lidhur me temën e ndryshimeve klimaterike, të formave të reja të skllavërisë, të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të varfërisë morale e shoqërore. Nismën e paraqiti, sot paradite, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, kryeipeshkvi Marcello Sánchez Sorondo, kancelar i dikastereve organizuese.

U prit me aq interes, ky takim i kryebashkiakëve, tha imzot Sorondo, sa dy ditët me temë “Skllavëria moderne dhe ndryshimet e klimës” si dhe “Mirëqenia, popujt, planeti”, parashikuar të mblidheshin në Shtëpizën e Piut IV, do të mbahen në një sallë shumë më të madhe, në atë të Sinodit. Kryetarë bashkish të bashkësive të vogla, por të rëndësishme, si Lampeduza, do të jenë pranë e pranë me governatorin e Kalifornisë, kryebashkiakët e metropoleve jugamerikane, si San Paolo, Rio de Janeiro, Bogota, Qyteti i Meksikos; të kryeqyteteve afrikane Accram Johannesburg, Libreville, Abidjan; qyteteve aziatike, si Teherani e Kochi, në Indi. Rreth 60  përfaqësues të vendeve të industrializuara e të atyre në rrugë zhvillimi nga e gjithë bota. Ideja për t’i mbledhur, kujtoi imzot Sorondo, lindi pas disa takimesh të ipeshkvijve dhe krerëve të policive të mbarë botës, organizuar nga Papa dhe kardinali Nichols në Vatikan. U krijua, kështu, grupi i Shën Martës, pranë  Akademisë së Shkencave, me pjesëmarjen e krerëve të policisë dhe të ipeshkvijve. Ishin pikërisht krerët e policisë ata që nënvizuan rëndësinë e mbështetjes nga ana e ipeshkvijve, në favor të angazhimit moral ndaj të varfërve më të varfër. Në diskutim e sipër, ata theksuan se eprorët e tyre nuk janë ipeshkvijtë, por qeveritarët, e, në shumicën e rasteve, kryebashkiakët. Duke ndjekur këshillën e tyre, shtoi imzot Sorondo, menduam t’i mbledhim kryebashkiakët, për të diskutuar mbi këto probleme. Dëshirojmë t’i angazhojmë kryetarët e bashkive për dy emergjencat e rëndësishme. Besoj se është hera e parë që ftohen në Vatikan kryebashkiakët, shpjegoi imzot Sorondo në konferencën e shtypit. Gjatë dy ditëve, vijoi prelati, kryebashkiakëve do t’u kërkohet  angazhim konkret për këtoë dy çështje kaq problematike. Së bashku, do të përpiqemi të gjejmë rrugët më praktike në favor të kufizimit të ndryshimeve klimaterike e të përpjekjes për t’i dhënë fund  shfrytëzimit, trafikut të njerëzve dhe çdo forme tjetër të skllavërisë moderne në bashkësitë e ndryshme. Këto drama, që Papa Benedikti XVI e Papa Françesku i kanë quajtur krime kundër njerëzimit, përfshijnë, saktësoi  imzot Sorondo, edhe punën e detyruar, prostitucionin, trafikun e organeve dhe sllavërinë shtëpiake. Dëshirojmë, vijoi prelati, edhe që kryebashkiakët të angazhohen në zhvillimin e programeve për ripërfshirjen në shoqëri të viktimave, në nivelin kombëtar e lokal, me qëllim që të shmanget  riatdhesimi i tyre i detyruar. Dëshirojmë kryesisht që qendrat tona qytetare të bëhen gjithnjë më të sigurta, t’i përfshijnë të gjithë banorët, të mbrojnë ekologjinë, të luftojnë kundër çdo forme të skllavërisë.

Ftuam, shton imzot Sorondo, qeveritarët e së djathtës e të së majtës, e asnjë prej tyre  nuk e refuzoi ftesën, edhe pse do të jetë i pranishëm Papa. Prej këndej, i presim  të gjithë të ftuarit e madje do të jemi të kënaqur nëse në listë do të shënohen edhe emra të tjerë. Por një gjë duhet të jetë e qartë, sqaroi imzot Sorondo, diskutimet e kryebashkiakëve nuk do të jenë rast për të bërë fushatë elektorale, për t’u rizgjedhur në postet e tyre.

Kryebashkiakët do të jenë të pranishëm edhe në punimet e ditës së dytë, 22 korrik, organizuar në Vatikan për të diskutuar mbi klimën dhe format e  reja të skllavërisë, që do të mbahet në Shtëpizën Piu IV. Kombet e  Bashkuara, shpjegon akoma imzot Sorondo, organizojnë ditën e dytë me temën e qyteteve e të zhvillimit të qëndrueshëm, që i intereson shumë Papës. Nuk më duket se prania e Kombeve të Bashkuara mund të krijojë probleme, shtoi prelati, nuk janë djalli.

Dy ditët e këtij takimi të rëndësishëm në Vatikan, përfundoi imzot Sorondo, nuk do të rëndojnë mbi financat e Vatikanit. Selia e Shenjtë nuk do të ketë shpenzime të mëdha. Ngjarjen e sponsorizon një bamirës, që do të japë për të 120 mijë euro.








All the contents on this site are copyrighted ©.