2015-07-15 15:21:00

Papa: të ndryshojmë mendësinë, veprimet tona rëndojnë mbi të uriturit


Ka ardhur koha të ndryshojmë mendësinë e t’i japim fund mendimit se veprimtaritë tona nuk ndikojnë mbi njerëzit, që vujanë nga uria. Tingëllon kështu tweet-ti i sotëm i Papës, në faqen e internetit @Pontifex. Ftesa është përsëritje e një mesazhi, që Françesku e ka theksuar disa herë. Mesazhit për të ndryshuar stilin e jetesës, sepse një përkorje më e madhe mund të kontribuojë për të normalizuar çekuilibrimet shoqërore  e të ketë  efekte të dobishme mbi gjendjen e mbarë Planetit. Paolo Beccegato, zëvendës-drejtor i Karitasit italian, i komenton kështu fjalët e Papës, në intervistën dhënë Radios sonë:

Përgjigje: - Pika e parë është ajo e vetëdijes, e ndërgjegjes, e informimit: të dish se duke blerë në një farë mënyre një prodhim, ndikon tërthorazi në një farë mënyre të prodhimit të tij, ose se duke investuar para përmes strukturave të ndryshme financiare, mbështet tërthorazi qeveri, sipërmarrje ose realitete, që mund të bëjnë mirë, por edhe keq… Thënë me dy fjalë, çdo sjellje jona, e jo vetëm me karakter ekonomik, e ka këtë ndikim. E pika e parë është ta dimë, ta njohim, ta kuptojmë, atë që bëjmë. Është, pra, një përçapje edukative. Kjo do të thotë se nga njohja e nga vetëdija, lind funksioni i përgjegjësisë. E gjithë kjo mund të ndikojë në lindjen ose në kundërshtimin e spekulimeve, që bëhen gjatë plotësimit të nevojave të përditshme, duke nisur që nga ushqimi, gjë që Papa e kujton vazhdimisht. Këto dinamika duhet të qeverisen më shumë e më mirë, që të mos përsëriten disa drama të së kaluarës. Kujtojmë këtu polarizimin e shoqërisë dhe rrezikun, që e nënvizon vazhdimisht Papa, që klasat e mesme të shoqërisë, të kalojnë gjithnjë më shumë në radhët e klasave më të varfëra. Ky polarizim do të ndikojë në thellimin e pabarazisë e, për pasojë, në thellimin e dhunës, të krizës e të tensioneve shoqërore. Ky është rreziku kryesor, që duhet shmangur. E pikërisht për këtë na fton Françesku. Për një jetë thjeshtë, larg çdo teprimi, përjashtimi e hedhurine.








All the contents on this site are copyrighted ©.