2015-07-15 14:51:00

Imzot Tomasi: marrëveshja me Iranin të nxisë dialogun e paqes në Siri


“Epokale”: kështu e quajtën ipeshkvijtë amerikanë marrëveshjen e djeshme mbi programin bërthamor të Iranit, që synon të frenojë prodhimin e armëve bërthamore iraniane, por i lejon Teheranit të përdorë energjinë atomike për qëllime paqësore e civile. Kryetari i Komitetit për Drejtësinë e Paqen ndërkombëtare të Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve, imzot Oscar Cantù, nënvizoi se kjo është një “arritje domethënëse… që nxjerr në pah përparimet e bëra në mospërhapjen e armëve bërthamore në nivel global”.

         Marrëveshja shihet pozitivisht nga Selia e Shenjtë, e cila uron që frytet e saj të shtrihen edhe në fusha të tjera e jo vetëm në atë bërthamore. Gjithsesi, ajo do të hyjë në fuqi pas miratimit nga Kongresi amerikan dhe nga parlamenti i Teheranit. I kërkuam një koment vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në zyrat e OKB-së, në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomasi:

         Fakti që anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Irani nënshkruan një marrëveshje, e cila, në një farë mënyre, u përgjigjet interesave të të dyja palëve, më duket një hap i madh përpara. Së pari, sepse tregon që dialogu mund të fitojë mbi dhunën e së dyti, vë në dukje se ka shpresë edhe për përpjekjet, që synojnë fundin e dhunës në Siri.

Pra, nënshkrimi i marrëveshjes hap skenarë të rinj në Lindjen e Mesme?

         Irani përfaqëson një nga palët në dialogun e në bisedimet, të cilat mund të çojnë drejt paqes, ose, së paku, në ndaljen e menjëhershme të dhunës në Lindjen e Mesme. Në veçanti, përsa i përket Sirisë, duhet gjetur një përgjigje e përbashkët, e koordinuar dhe e arsyeshme nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për të ashtuquajturin Shtet Islamik, i cili sjell vetëm të këqija e pasoja negative jo vetëm në rajon, por edhe në anë të tjera të botës. Duhen mbështetur përpjekjet e të dërguarit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për t’i ulur në tryezën e bisedimeve përfaqësuesit e forcat e ndryshme, të pranishme në Siri.

Rruga e përshkuar nga Irani, a mund të importohet edhe në vende të tjera islamike?

         Sigurisht, por mbetet një vështirësi bazë, siç është konkurrenca ndërmjet shiitëve dhe sunitëve për të mbizotëruar në Lindjen e Mesme. Kjo lloj gare nuk duhet të shndërrohet në konflikt me armë, ose në pretekst për të armatosur aktorë jo shtetërorë, që sjellin vetëm shkatërrim e vdekje. Me durim e vullnet të mirë, është e mundur të kërkohet një udhë e përbashkët, që merr parasysh interesat politike dhe ekonomike të palëve, në mënyrë që të arrihet në zgjidhje të arsyeshme e të pranueshme. 








All the contents on this site are copyrighted ©.