2015-07-15 15:17:00

Dorëshkrimi i Nicolò Figlia ‘Kodiku i Kieutit’ i dhurohet Bibliotekës së Vatikanit


‘Kodiku i Kieutit’ (Codice chieutino) me titullin ‘I Cristeri arbëresh’ (I krishteri abëresh), kopja e dorëshkrimit të njohur të shek. XVIII, shkruar nga prifti arbëresh i Mezzojuso-s së Sicilisë, Papas Nicolò Figlia, iu dhurua sot Bibliotekës Apostolike të Vatikanit. Vepra dorëshkrim, iu dorëzua sot dhuratë Prefektit të Bibliotekës Apostolike, imzot Cesare Pasini-t nga arkivisti kosovar Bejtullah Bestani. Në një takim të përzemërt, zhvilluar në mjediset e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, morën pjesë Prefekti i  kësaj biblioteke, imzot Cesare Pasini, dhuruesi i Kodikut të Kieutit në dorëshkrim, ministri këshilltar i Ambasadës së Kosovës pranë Republikës së Italisë, arkivisti Bejtullah Destani, Ambasadorja e Kosovës pranë shtetit italian, Bukurie Gjonbalaj, i ngarkuarit me punë i Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Visar Zhitit, përgjegjësi i programit shqip pranë Radio Vatikanit, dom David Gjugja dhe përgjegjësi i koleksionit lindor të Bibliotekës Apostolike dr. Delio Proverbio.
Prefekti i Bibliotekës Apostolike, Imzot Pasini falënderoi përzemërsisht zotin Destani për gjestin fisnik dhe vlerësoi shumë dhuratën tejet të çmuar të historisë së kulturës shqiptare, ‘Kodikun kieutin’, me të cilën, siç shkruan studiuesi arbëresh Prof. Matteo Mandalà, Nicolò Figlia e lidhi emrin e tij me historinë kulturore e letrare arbëreshe. Kjo vepër, shtoi imzot Pasini, i bashkohet veprave tjera të lashta e të rëndësishme të historisë, gjuhës e letërsisë shqipe, që ruhen me një kujdes të jashtëzakonshëm në Bibliotekën Apostolike, si dëshmi e historisë dhe e kulturës së popullit të lashtë shqiptar.
‘Kodiku i Kieutit’, siç pohuan imzot Pasini e zoti Destan, këtu në Vatikani është në dispozicion të të gjithë studiuesve, të cilët duan të njihen nga afër me përmbajtjen dhe vlerën e saj gjuhësore, letrare e fetare, shkruar nga poeti, teologu e atdhetar papa Nicolò Figlia më 1736-1770. Dorëshkrimi “Kodiku i Kieutit” u gjet në fillim të njëmijenëntëqindës nga studiuesi arbëresh nga Kalabria Michele Marchianò. Botimet e para të pjesshme të disa pjesëve të ‘Kodikut kieutun’ si ‘Poezitë e shenjta apo fetare shqipe, u botuan pjesërisht nga G. Schriò në Këngët e Shenjta (1907), më pas u botuan nën përgatitjen e M. Marchianò në ‘Poezitë e shenjta (1908). Botimi plotë doli në dritë me titullin Nicolò Figlia, ‘Kodiku kieutin’, botim kritik përgatitur nga Matteo Mandalà, në Palermo-Mezzojuso më 1995.
Po kujtojmë se dorëshkrimi i ‘Kodikut të Kieutit’ të Nicolò Figlia-s që sot iu dhurua Bibliotekës Apostolike, deri para disa muajsh, bënte pjesë në bibliotekën personale të prof. Namik Resulit, ku qe ruajtur edhe pas vdekjes së studiuesit të njohur, nga e bija, e cila para pak kohe ia dhuroi zotit Bejtullah Destanin. Po më hollësisht në mikrofonin e Radio Vatikanit, zoti Bejtullah Destani shpjegon se si erdhi deri te dorëshkrimi i ‘Kodikut të Kieutit’ të papas Nikola Figlia-s dhe vendimi për t’ia dhuruar Bibliotekës Apostolike të Selisë së Shenjtë, ta dëgjojmë në bisedë me dom David Gjugjën...... 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.