2015-07-12 18:03:00

Papa viziton Banjado Norte: feja të bëhet solidaritet


Veprimtaria e parë e ditës së sotme të Papës Françesku: vizita në lagjen e varfër të Banjado Norte të kryeqytetit të Paraguait. Është zona e Asunciòn-it, ku si shteti, ashtu edhe Kisha Katolike, sidomos jezuitët, kanë shumë projekte ndihme e asistence.

Papa Françesku u prit para kapelës së shën Gjon Pagëzuesit, njëra nga 13 kapelat e territorit, që formojnë famullinë e Familjes Shenjte, famullitari i së cilës është jezuit. E pikërisht për familjen foli Papa, duke pasur parasysh Familjen e Krishtit, lindjen e Jezusit e ardhjen e barinjve përreth shën Marisë e shën Jozefit. Duke bërë kështu, nënvizoi, ata u bënë të afërt me këtë familje:

“Kjo ndodh kur Jezusi duket në jetën tonë. Këtë na zgjon feja. Feja na bën të afërt, na bën të afërt me jetën e të tjerëve. Feja na bën thirrje të impenjohemi, të jemi solidarë. …Feja që nuk bëhet solidaritet, është fe e vdekur. Është fe pa Krishtin, fe pa Zotin, fe pa vëllezërit”.

Zoti, theksoi Papa, është i pari, që tregoi solidaritet, sepse deshi të jetojë me njerëzit. Ati i Shenjtë vuri në dukje edhe solidaritetin e vendasve, që me fe, përballojnë vështirësitë e jetës, siç dëshmuan edhe dy gra, që folën para Papës, duke kërkuar kushte më të denja për jetën në barakat e Banjado Nortes:

“I dëgjova historitë tuaja e gjithçka keni bërë për të ndenjur këtu, luftën e përditshme për një jetë të denjë, për një çati mbi kokë. Gjithçka keni bërë për ta mundur kohën e pamëshirshme, përmbytjet e javëve të fundit, gjithçka më sjell ndërmend familjen e vogël të Betlehemit. Një luftë, që nuk jua ka marrë buzëqeshjen, gëzimin, shpresën. Një luftë, që nuk jua ka shuar solidaritetin, përkundrazi, e ka nxitur, e ka bërë të rritet”.

Unë, u tha Papa të pranishmëve, vij këtu si barinjtë tek Jezusi e dua të jem i afërm me ju, t’ju bekoj duart, të bekoj bashkësinë tuaj. T’ju falenderoj, sepse feja juaj kthehet në shpresë e shpresa nxit dashurinë. Ati i Shenjtë u kërkoi besimtarëve të mos e mbajnë vetëm për vete këtë shpresë e këtë dashuri, por të bëhen misionarë për ta përhapur fenë nëpër rrugë e shtigje, duke u bërë të afërt, sidomos, me të rinjtë e me të moshuarit. E së fundi, lutja:

“Dua t’ia porosis familjet tuaja Familjes Shenjte, që modeli i saj, dëshmia e saj të vazhdojë të jetë dritë në udhën tuaj, nxitje në çastet e vështira e të na dhurojë gjithnjë ‘barinj’ të aftë ta shoqërojnë, ta mbështesin e ta nxisin jetën e familjeve tuaja”.








All the contents on this site are copyrighted ©.