2015-07-12 14:36:00

Ndërroi jetë kardinali Biffi. Papa: e deshi fort Kishën


Ipeshkëv, që i shërbeu me gëzim e urti Ungjillit dhe e deshi fort Kishën”. Papa Françesku e kujton kështu, në një telegram ngushëllimi, kardinalin e nderit të Bolonjës, Giacomo Biffi, që ndërroi jetë në klinikën bolonjeze, ku qe shtruar prej kohe. Ishte 87 vjeç.

Për rreth 20 vjet, nga viti 1984, deri më 2003, qe në krye të dioqezës së Bolonjës, si prijës i zellshëm e i urtë, shkruan Françesku. Papa më pas kujton shërbimin e tij të palodhur në formimin njerëzor e të krishterë të breznive të tëra, përmes mësimdhënies dhe botimit të shumë veprave e, posaçërisht, përmes mënyrës së drejtpërdrejtë e aktuale, me të cilën e vinte fjalën e Zotit në shërbim të njeriut.

Një ngjarje, për të kujtuar kush ishte kardinali Biffi

Po sjellim këtu vetëm një episod nga jeta e këtij Njeriu me kulturë shumë të gjerë e të rafinuar, që la pas një mori shkrimesh, me vlerë për thesarin e letërsisë kishtare e laike.

Në Konklavin e vitit 2005 për zgjedhjen e Papës, pas vdekjes së Gjon Palit II, në çdo votim, kardinali Biffi fitonte një votë të vetme. U nxe aq shumë me të panjohurin, që ia jepte këtë votë, sa t’i pohonte me zë të lartë kardinalit përbri:

- Po ta zbuloj kush më voton, do t’i hajë ca shuplaka të mira”.

- Çfarë, Hirësi – ia drodhi shqetësueshëm kardinali tjetër. Shuplaka?!

- Po, po, e keni kuptuar fare mirë - ia ktheu i nxehur Biffi.

- Hirësi, tashmë është më se e qartë se jemi duke e zgjedhur Papën e ri e edhe më e qartë se është pikërish kandidati, që po zgjidhet, ai që ju ka zgjedhur e voton për ju! Kështu, në se doni ta mbani premtimin që i paskeni bërë vetes, s’ju mbetet tjetër, veçse të shplakoni Papën e ri Ratzinger”.

Këtë dialog e tregoi, më pas, gazetari katolik Francesco Grana, komentues me autoritet i ngjarjeve fetare.








All the contents on this site are copyrighted ©.