2015-07-12 13:45:00

Mbrëmësoret: lutja nuk është tjetërsim, ne jemi duart e Zotit!


“Lutja është pasqyrim  i dashurisë, që ndjejmë për Zotin, për të tjerët e për botën e krijuar”. Kështu u shpreh Papa dje pasdite në katedralen e  Asunción, ku kremtoi lutjet mbrëmësore me klerin, rregulltarët e lëvizjet katolike. Françesku i nxiti të gjithë të jenë të bashkuar, duke ripohuar me forcë, parinë e Krishtit.

Gëzimi i papërshkrueshëm i mijëra njerëzve e priti Papën, kur arriti në katedralen e Asunción, ku ruhet “Cruz de la Parra”, i vetmi kryq i mbetur nga 29, që Kristofor Kolombi i nguli në tokën e re, gjatë katër udhëtimeve të tij në Amerikën, e cila nuk e kishte ende këtë emër. Papa, në fjalimin e rastit, kujtoi menjëherë bukurinë e lutjes së përbashkët:

“E si të mos ëndërrosh një Kishë, e cila reflekton e përsërit harmoninë e zërave e të këngëve në jetën e përditshme?”.

Më pas kujtoi gjallërinë e krishterimit, që nuk lodhet kurrë duke ndërtuar, si përgjigje ndaj Zotit:

“Secili nga ne, në lutjen tonë, duhet të bëhet sa më i ngjashëm me Jezusin – vijoi - duke kujtuar se lutja liturgjike, me ndërtimin dhe formën e ritmuar, shndërrohet në shprehje të mbarë Kishës, nuses së Krishtit, që përpiqet të bëhet një me Zotin e vet”.

Në lutjen tonë, kujtoi Papa, duam të bëhemi sa më të ngjashëm me Jezusin. Fliste kështu për një lutje të gjallë, në të cilën ndjehet fort gjithçka jetojmë në jetën e përditshme; lutje, që nuk është tjetërsuese e as vetëm dekorative.

E, duke kujtuar psalmet, nënvizoi se jemi ne duart e Zotit, që e ngrenë të varfërin nga balta! Papa foli për angazhimin në sfidat e vogla e të mëdha të përditshme e, në radhë të parë, për mbrojtjen e jetës. E lutja, shtoi, është pasqyrim i dashurisë që ndjejmë për Zotin, për të tjerët e për gjithësinë e krijuar.

Duke iu drejtuar asamblesë, Françesku vuri në pah bukurinë e bashkëpunimit baritor të çdo thirrjeje e karizme, duke i nxitur të gjithë  për  frymë bashkimi e misioni:

“Të gjithë kemi kufizime e askush nuk mund t’i ngjasë plotësisht Jezusit, ndonëse çdo thirrje pasqyron disa nga rrezet e jetës dhe të veprës së Krishtit. Kush është i thirrur nga Zoti, nuk mburret, nuk shkon duke kërkuar vlerësime e duartrokitje kalimtare, nuk e ndjen veten të ngritur në përgjegjësi, nuk i trajton të tjerët si të ishte mbi ndonjë piedestal”.

Duke cituar Letrën drejtuar Hebrenjve, Françesku nënvizoi me forcë parinë e Krishtit dhe i nxiti të gjithë për bindje e lutje. E, duke kujtuar kambanoren e Katedrales, shembur e rindërtuar disa herë, përfundoi:

“Tingulli i kambanës e paraprin e e pason në shumë raste lutjen tonë liturgjike. Të rinuar nga Zoti, sa herë lutemi; të fortë, si kambana; plot me gëzimin e kumbimit në festë, për të kujtuar mrekullitë e Zotit, ta bëjmë tonin Magnificat, Himnin e madhërimit të të Gjithëpushtetshmit e ta lëmë të kryejë, përmes jetës sonë të shuguruar, punë të mëdha në Paraguái”.








All the contents on this site are copyrighted ©.