2015-07-12 18:50:00

Gjatë meshës në Nju Guazù, Papa bën thirrje për mikpritje


Kremtimi i meshës dhe lutja e Engjëllit të Tënzot në Nju Guazù të Asunciòn qenë për Papën Françesku ndër veprimtaritë e fundit të ditës së sotme, para se të kthehet në Romë, nga Amerika Latine. Vendi i zgjedhur është jashtëzakonisht simbolik. Ati i Shenjtë kremtoi Eukaristinë në fushën 25 hektarëshe të Nju Guazù-së, pranë një baze ushtarake. Në të njëjtin vend (një shenjtërore mbi të cilën ngrihet një kryq i madh e kujton ngjarjen), shën Gjon Pali II kanonizoi shën Roque Gonzales de Santa Cruz (një nga rregulltarët më të dashur për paraguaianët) gjatë udhëtimit të tij apostolik në Paraguai në vitin 1988.

Gjatë meshës së sotme, para rreth qindra mijëra besimtarëve, të cilët ndodheshin aty pavarësisht nga balta e shkaktuar nga shiu i këtyre ditëve (këmbët zhyteshin disa centimetra), Papa Françesku tha homelinë nga një elter i ndërtuar me fara dhe lëvozhga frutash të thara, tipike vendase, kryesisht arra kokosi dhe kallëpe misri. Ndër autoritetet e shumta të pranishme, edhe presidenti i Paraguait, Haracio Cartes, si edhe presidentja e Argjentinës, Cristina Fernàndez de Kirchner.

I krishterë është ai, që di të mirëpresë

Gjatë homelisë, Papa foli për tokën e punuar nga duart e paraguaianëve, që jep gjithnjë fryt e jetë e për fenë, që e vadit këtë tokë. Por edhe për miqësinë, që është karta e identitetit e të krishterit. Jezusi, kujtoi Ati i Shenjtë, i thërret dishepujt dhe i dërgon nëpër botë, duke u dhënë rregulla të qarta e të sakta për ç’mund të mbajnë me vete e si duhet të sillen, prandaj:

“Mund të themi se i krishteri është ai, që ka mësuar të presë e të mirëpresë. Sa herë e imagjinojmë ungjillëzimin si mijëra strategji, taktika, manovra, truke, duke u përpjekur t’ua mbushim njerëzve mendjen me argumentimet tona. Sot, Zoti na e thotë shumë qartë: në logjikën e Ungjillit, nuk bindet tjetri me argumentime, me strategji, me taktika, por duke mësuar si ta presim mirë”.

Mikpritje për nevojtarët e mëkatarët

E pastaj, rreshtoi një e nga një cilët duhen mirëpritur, duke shtjelluar kështu, konceptin e tij të mikpritjes:

“Mikpritje për të uriturin, për të eturin, për të huajin, për të zhveshurin, për të sëmurin, për të burgosurin, për lebrozin, për paralitikun. Mikpritje për atë, që nuk e mendon si ne, për atë që s’ka fe, ose e ka humbur. Mikpritje për të persekutuarin, për të papunin. Mikpritje për kulturat e ndryshme, me të cilat është kaq e pasur kjo tokë. Mikpritje për mëkatarin”.

Si Maria

Mënyra me të cilën priten miqtë, vijoi Papa Françesku, është si ajo e tokës, e cila nuk i jep urdhër farës të lulëzojë, por e pret, e ushqen dhe e bën të mbijë:

“Kështu duam të jemi ne të krishterët, kështu duam ta jetojmë fenë në këtë tokën paraguaiane, si Maria, duke mirëpritur jetën e Zotit në vëllezërit tanë, me besimin e sigurinë se: ‘Zoti do të na çojë shiun e toka do të japë fryte’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.