2015-07-12 12:22:00

Françesku: bota më njerëzore është e mundur, nëse nuk rrimë duarkryq përballë padrejtësive


“Nëse nuk rrimë duarkryq përballë padrejtësive të panumërta, mund të ndërtojmë një botë më njerëzore, një botë më të drejtë e më vëllazërore, në të cilën nuk flijohen njerëzit në elterin e parasë e të fitimit”: këtë theksoi Papa, duke u takuar me përfaqësuesit e shoqërisë civile të Paraguáit, në Pallatin e Sportit “León Condou” të Asunción.

Takimin e hapi orkestra rinore me instrumente të ricikluara, që u duartrokit stuhishëm. Pastaj, disa dëshmi: folën një  fshatare, përfaqësuese e grave indiane e një përfaqësuese e lëvizjeve katolike e punëtore  të vendit. Folën për shpresa, vështirësi, luftëra e edhe për një shoqëri më të mirë në Paraguái. Papa i vlerësoi dëshmitë e tyre të forta, me bindjen se  populli, që jeton në amulli, duke pranuar gjithçka, pa lëvizur nga vendi, është popull i vdekur e i varrosur! Zoti është gjithnjë përkrah atyre, që  ndihmojnë për lartimin e përmirësimin e jetës së bijve të Tij,  e për fitoren mbi padrejtësitë e shumta, që flakin pa pikë mëshire në pleh jetën e një numri gjithnjë më të madh njerëzish:

“Sa e rëndësishme është - theksoi Papa - që të rinjtë ta kuptojnë se lumturia  e vërtetë kalon përmes luftës për një botë më vëllazërore, më të drejtë. Lumturia e qejfi – vërejti - nuk janë fjalë sinonime, sepse lumturia do angazhim e përkushtim, lyp ideale të mëdha, kërkon që njeriu të mos jetojë si i dehur”.

Papa i ftoi të rinjtë të japin ç’kanë më të mirë. Trishtohem, e fort madje, kur shikoj të rinj që u ngjasin pensionistëve, vërejti. E pastaj ftoi: “Vëreni gjithçka në lojë, mos kërkoni të rehatoheni, për t’iu shmangur luftës! Luftoni! Jo vetëm. Shfrytëzojeni përvojën e të moshuarve e ngushëllohuni me forcën e lutjes në Jezusin, sepse Zoti është garancia e vërtetë e dinjitetit tonë si njerëz”.

Papa Françesku tregoi edhe metodën, që duhet përdorur: dialogun. Natyrisht, shtoi, kjo nuk është aspak e lehtë, sepse kërkon kulturën e takimit:

“Takim, që di të pranojë se larmia jo vetëm që është e mirë, por edhe e nevojshme. Uniformiteti të asgjëson, të shndërron në automat. Nuk duhet të nisemi nga mendimi se tjetri po gabon. E mira e përbashkët kërkohet duke u nisur nga ndryshimet tona, duke krijuar gjithnjë mundësi për alternativa të reja. Ia vlen të thuash: kërko diçka të re! Sepse nuk mund të dialogohet, pa një identitet të fortë. E identiteti nuk shitet e as nuk blihet”.

Të zgjedhësh dialogun, do të thotë të mos kesh frikë nga konflikti. Përkundrazi, duhet pranuar, për ta shndërruar në unitet, që nuk i zhduk ndryshimet, por i jeton në bashkim, përmes solidaritetit e mirëkuptimit. Nuk duhet harruar se jemi të gjithë vëllezër, bij të të njëjtit Atë qiellor, e se secili nga ne ka kulturën e vet, gjuhën, traditat, ka shumë për t’i dhënë bashkësisë:

“Kulturat e vërteta nuk mbyllen në vetvete, sepse po të mbyllen, vdesin. Kulturat e vërteta janë të thirrura të takohen me kultura të tjera, për të krijuar, kështu, realitete të reja. Pa këtë parakusht themelor, pa këtë bazë solidariteti, është tepër e vështirë të arrihet tek dialogu.  Po të mendojë ndokush se ka njerëz, kultura, situata të dorës së dytë, të tretë a të katërt, diçka sigurisht do të shkojë keq, sepse mungon minimalja, njohja e dinjitetit të tjetrit”.

Më pas Papa bëri thirrje për ta dëgjuar britmën e të varfërve për ndërtimin e një shoqërie, që i përfshin të gjithë:

“Një aspekt themelor për t’i  vënë në lëvizje të varfërit, duhet kërkuar në mënyrën sesi i shikojmë. Nuk duhen shikuar me sy ideologjik, sepse, kur shikohen me këtë sy, të varfërit përdoren në shërbim të interesave të tjera politike ose personale”.

Papa pohoi se  ka alergji nga fjalimet  “e përfryra”, plot me fjalë buçimtare për ideale të mëdha si vëllazëria, drejtësia, paqja, dinjiteti. Sa fjalë kësisoji fliten çdo ditë në botë! Fjalë  boshe. Fjalë rrenacake. Fjalë pa pikë konkretësie. Fjalë që përdoren nga ideologjitë: “Ideologjitë mbarojnë keq, nuk duhen gjë, kanë lidhje të paplota, të sëmura ose të këqija me popullin. Prej këndej, ideologjitë përfundojnë gjithnjë në diktatura ... mendojnë për popullin, pa e lënë të mendojë... punojnë për popullin, pa e përfillur fare popullin”. 

Është e nevojshme, vijoi, të shqetësohesh me të vërtetë për të varfërit, e edhe të jesh gati për të mësuar prej tyre. Të varfërit mund të na mësojnë shumë në humanitet, në mirësi, në flijim e solidaritet. E ne, të krishterët, kemi edhe një arsye më shumë për t’i dashur të varfërit e për t’u shërbyer: në ta shikojmë fytyrën e korpin e Krishtit.

Sot, vijoi Papa, adhurimi i viçit të lashtë prej ari ka gjetur një variant të ri e të pamëshirshëm në fetishizimin e parasë e në diktaturën e ekonomisë pa fytyrë. I nxiti të gjithë, prandaj, të punojnë për një zhvillim ekonomik me fytyrë njerëzore, në të cilin  të ketë punë, shtëpi, bukë e dinjitet për të gjithë:

“Ju kërkoj të mos i nënshtroheni modelit ekonomik idhujtar, që ka nevojë të flijojë jetë njerëzore mbi elterin e parasë e të fitimit. Në ekonomi, në ndërmarrje, në politikë, gjëja e parë është gjithnjë njeriu e ambienti, në të cilin jeton”.

Më pas, thirrja kundër korrupsionit:

“Korrupsioni është gangrena, kalbëzimi i një populli”.

Papa Françesku tregoi edhe një model: atë të misioneve, drejtuar nga jezuitët në këtë zonë ndërmjet viteve 1600 e 1700: qendra të vogla fshatare, ku popujt vendas mund të jetonin në paqe e në autonomi, një nga përvojat më interesante të ungjillëzimit e të organizimit shoqëror të historisë:

“Në ta Ungjilli ishte shpirti e jeta e bashkësisë, ku nuk kishte uri, as papunësi, as analfabetizëm e as shtypje. Kjo përvojë historike na mëson se edhe sot mund të ndërtohet një shoqëri më njerëzore. Kur ka dashuri për njeriun e edhe dëshirë për t’i shërbyer, mund të krijohen kushtet e përshtatshme, që askujt të mos i mungojnë mjetet më të nevojshme të jetesës e asnjeri të mos jetë i përjashtuar. Dashuria për të varfërit - përfundoi Papa - dëshmon se një model tjetër zhvillimi është plotësisht i mundshëm”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.