2015-07-11 10:41:00

Shën Benedikti në fjalët e Papës Benediktit XVI


Papa Jozef Ratcinger  në katekizmin kushtuar Shën Benediktit, Abat më 9 prill 2008 mes tjerash tha: "në se nuk i njeh rrënjët e veta të krishtera, Evropa nuk mund ta zbulojë identitetin e saj. Shën Benedikti është “njeri i cili, me ‘Rregullën’ e tij të famshme, solli një tharm shpirtëror, që i dha  Evropës së kohës, një unitet të ri shpirtëror e kulturor, të bazuar mbi fenë e krishterë", pohoi mes tjerash Papa  Racinger për Shën Benediktin nga Norçia. Edhe sot, si në kohët e Shën Benediktit, Evropa është në kërkim të identitetit. E ky identitet nuk mund të mos ngrihet mbi ato rrënjë të lashta të krishtera, që jeta murgare benediktine i shtriu në të gjithë kontinentin.

Evropa e shekullit V, Evropa e shekullit XX. E para, si u shemb sistemi unifikues, imponuar nga perandoria romake, kërkon të gjejë, me dhimbje, një identitet të ri. E dyta, e shkretuar nga dy luftëra botërore dhe nga shembja e ideologjive totalitare, përpiqet  prej vitesh, jo pa dhimbje, të krijojë fizionominë e vet të përbashkët. Këto dy fytyra të Evropës, historikisht larg njëra-tjetrës,  kanë të përbashkët një rrënjë, rrënjën e krishterë të cilën, më se 1500 vjet më parë, e ‘eksportoi’ nga kodra e Montekasinos, në të gjithë Kontinentin e Vjetër, një vetmitar 50 vjeçar, që u bë murg, pikërisht sepse kishte vendosur t’i jepte Evropës rrënjët e përbashkëta. E këto rrënjë të lashta – pohoi Benedikti XVI – në ciklin e katekizmit kushtuar figurave të mëdha të Kishës së shekujve të parë - janë njëkohësisht rrënjë moderne për Evropën tonë e cila, pa limfën jetike të Hyjit, rrezikohet të bjerë në utopinë e vetëringjalljes.

“Sot Evropa, që sapo ka dalë nga një shekull thellësisht i plagosur nga dy luftëra botërore e pas shembjes së ideologjive të mëdha, që u duk qartë se s’ishin tjetër, veçse utopi tragjike, është në kërkim të identitetit të vet. Për të krijuar një bashkim të ri e të qëndrueshëm, sigurisht kanë shumë rëndësi mjetet politike, ekonomike e juridike, por nuk duhet harruar edhe përtëritja etike e shpirtërore, që buron nga rrënjët e krishtera të Kontinentit, sepse pa këto rrënjë Evropa nuk mund të ndërtohet”.

E pikërisht për këto rrënjë, që u përhapën falë punës së madhe të Shën Benediktit, shpallur Pajtor i Evropës nga Papa Pali VI në vitin 1964 e tani edhe Pajtor i papnisë së Benediktit XVI .

Papa Ratcinger foli gjatë mbi figurën e Shën Benedikti, u ndal tek jeta dhe misioni i themeluesit të Benediktinëve e tha: “Vepra e Shenjtit e, në mënyrë të posaçme, rregulla e tij, janë mbartëse të një tharmi të vërtetë shpirtëror i cili, në rrjedhë shekujsh, ia ndryshoi fytyrën Evropës shumë përtej kufijve të Atdheut të tij, duke nxitur, pas shembjes së unitetit politik, krijuar nga perandoria romake, një unitet të ri shpirtëror e kulturor, atë të fesë së krishterë, që u pranua nga popujt e kontinentit. E kështu lindi ai realitet, që ne e quajmë ‘Evropë”.

Para se të ushtronte, me manastiret e tij, këtë ndikim themelor mbi zhvillimin e qytetërimit e të kulturës evropiane, Benedikti Abat ishte kryesisht njeri i lidhur me lutjen e meditimin e Fjalës së Zotit. Kur i lindi ideja për themelimin e manastirit të  Montekasinos, shenjti i ardhshëm u tërhoq në një shpellë të Subiakos. Aty e kuptoi se gjëja e parë që duhet të bënte, ishte sundimi i vetvetes. Në kundërshtim me vetërealizimin e shpejtë, pa mundim, egocentrik, që  sot  gjithnjë më shpesh shikohet si virtyt i lartë – theksoi Benedikti XVI – Shën Benedikti nisi të kërkonte përvujtërisht takimin me Hyjin.
“Pa lutje, nuk ka takim me Zotin. Por përshpirtëria e Shën Benediktit nuk ishte jashtë realitetit. Në kohën e tij të shqetë e të trazuar, ai jetonte i ndjekur nga syri i Hyjit, pa i harruar kurrë detyrat e jetës së përditshme e njeriun,  me nevojat e tij konkrete. Duke parë Zotin, kuptoi realitetin e njeriut dhe misionin e tij”.

E pikërisht nevojat konkrete të njeriut përmblidhen në rregullën e  famshme të Shën Benediktit, që bazohet mbi dy fjalë: “Lutu e puno!”, të shkruara pesëmbëdhjetë shekuj më parë, por që mbeten çuditërisht moderne edhe për sot.

 “Benedikti e quan Rregullën ‘të vogël, të hartuar vetëm për fillimin’; në të vërtetë kjo rregull jep këshilla të urta jo vetëm për murgjërit, por edhe për të gjitha ata që kërkojnë një prijës në shtegtimin e  tyre drejt Hyjit. Për masën, humanizmin e dallimin ndërmjet asaj që ka rëndësi të dorës së parë e asaj që është dytësore në jetën shpirtërore, ajo  e ruajti forcën deri më sot”.








All the contents on this site are copyrighted ©.