2015-07-10 15:50:00

Në Shqipëri lufta kundër ekstremizmit fetar, prioritet i qeverisë


Ministria e Brendshme e Shqipërisë organizoi paraditen e së premtes konferencën "Radikalizmi fetar dhe ekstremizmi", nga ku ministri shqiptar Saimir Tahiri theksoi se qeveria e Tiranës e ka prioritet luftën kundër radikalizmit fetar.
Minsitri i Shqipërisë Tahiri nënvizoi se “toleranca fetare në Shqipëri është element kyç kundër ekstremizmit”, por shtoi se “do të ndiqen ngushtë personat që synojnë pjesëmarrjen në luftërat e ekstremizmit”.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë tha se rol në luftën kundër ekstremizmit fetar do të kenë edhe bashkitë e reja në vend: “Ndarja e re territoriale na imponon një qasje të re, duke i dhënë rolin që duhet komuniteteve vendore në raport me komunitetet fetare, për të ndërtuar mjedise më të sigurta dhe për të parandaluar tendencat e redikalizmit”.
Nga ana e tij, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, Blendi Klosi, tha: “E pranojmë që kemi probleme sociale dhe plani ynë i punës është të mbështetemi te komunitetet fetare për t’i zgjidhur këto probleme”.
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, u shpreh: “Për të luftuar ekstremizmin fetar kërkohet bashkëpunim nga të gjitha vendet”.
Ndërkohë, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, tha se njerëzit duhen ndërgjegjësuar për pranimin e diversitetit: “Jemi munduar të ndërgjegjësojmë qytetarët, po përpiqemi të luftojmë dhe parandalojmë bindjet që mund të çojnë njerëzit drejt ekstremeve. Ndërgjegjësimi i individëve për pranimin e diversiteteve është i rëndësishëm”.
 nga Top Channel 








All the contents on this site are copyrighted ©.