2015-07-10 14:58:00

Me Papën në shtegtim në Amerikën Latine


Ati i Shenjtë Bergoglio, shkon sot, nga Bolivia në Paraguai, etapën e tretë e të fundit të udhëtimit të tij apostolik në këtë kontinent.
Pra, në kuadrin e shtegtimit apostolik në Amerikën Latine, për Papën Françesku, sot është dita e fundit në Bolivi, e pikërisht në Santa Cruz de la Sierra, ku Ati i Shenjtë viziton të burgosurit në burgun e Palmasola-s, jo larg kryeqytetit.
Gjithnjë sot, në Kishën famullitare “La Santa Cruz”, Papa Bergoglio është në program takimi me 37 ipeshkvijtë katolikë të Bolivisë.
Pas këtij takimi, në aeroportin ndërkombëtar  ‘Viru Viru’, ceremonia e lamtumirës nga Bolivia, për të fluturuar pastaj drejt Asunciòn, kryeqytetin e Paraguait, ku Papa do të mbërrijë në ora 21 me atë evropiane.
Pas ceremonisë së mirëseardhjes, që do të mbahet në aeroportin ndërkombëtar në Asunciòn, Papa kalon në Nunciaturën Apostolike të kryeqytetit për një vizitë të shkurtër.
Në ora 24.00 evropiane, në Pallatin e Presidencës, vizita e Papës Bergoglio te Presidenti Republikës së Paraguait, Horacio Manuel Cartes Jara.
Gjithnjë në Pallatin e Presidencës, është në program takimi i Papës me autoritet e Vendit, me Kreun e Shtetit, anëtarët e Kabinetit presidencial, të Kongresit Kombëtar, të Gjyqit të Lartë të Drejtësisë dhe të Trupit Diplomatik.
Po nëse hedhin një vështrim të shkurt, duhet vërejmë se dy etapat e para të udhëtimit të Papa Françeskut përfaqësojnë një sinjal të qartë drejtuar hierarkive katolike, asaj të Amerikës Latine por edhe atyre që janë në mbarë botën. Gati në çdo fjalim Papa Bergoglio ka kujtuar rrënjët ungjillore të veprimtarisë e të kujdesit për të varfrit, që Kisha duhet të ketë.
Me fjalë e gjeste të tij – beatifikimi i ipeshkvit Romero, dje vlerësimi i lëvizjeve popullore, sot vizita në burgun e Palmasola-s – Papa Françesku u tregon ipeshkvijve se si Kisha duhet të jetë afër popullit, me popullin, sepse vëmendja e kujdesimi për të varfrit, “është diçka që ekziston dhe i ka rrënjët në Ungjill, e është edhe në traditën e Kishës, pra nuk është një shpikje e komunizmit”.
Në takim me lëvizjet popullore, Papa tha se sot “kemi nevojë e duam një ndryshim” shoqëror për të mirën e mbarë njerëzimit, pa dallim. “Flas për problemet e përbashkëta që ka mbarë njerëzimi”, tha Papa e shtoi: “Ky sistem që kemi sot nuk qëndron më e nuk funksionon më, njerëzit e përvuajtë dhe të varfër e kanë kuptuar këtë çështje para shkencëtarëve. Pranaj t’i themi jo kolonializmit të ri, “duam një ndryshim” në përkim me vlerat e njeriut, tha Papa Françesku.
Të mërkurën në mbrëmje, duke u ndalur te vendi ku qe braktisur trupi i pajetë i jezuitit atë Luis Espinal, vrarë nga paraushtarakët bolivianë në mars të vitit 1980, Papa Françesku tha se ai ka qenë “viktimë e interesave të njerëzve që nuk donin të luftohej për lirinë e Bolivisë. Ka predikuar Ungjillin e ky Ungjill ka penguar e shqetësuar ata që e urrenin lirinë. Për këtë arsye e kanë eliminuar”.
Pra fjalët e gjestet e Papës gjatë këtij shtegtimi nxisin shumë pikëpyetje për Kishën e për mbarë sistemin e shoqërisë bashkëkohore.
Pati qenë pikërisht ky jezuit, poet e ekspert i kinemasë, student në Universitetit Katolik të Milano-s, i cili në Bolivi mbështeste protestat e minatorëve, ideator i skulpturës së Krishtit të Kryqëzuar me simbolet klasës punëtore. “Ajo e atë Espinal nuk qe një interpretim marksist  i fesë”, shpjegoi zëdhënësi i Vatikanit atë Federiko Lombardi, por “një aktualizim i fesë me realitetin e popullit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.