2015-07-09 11:06:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: nuk ka kryetarë të përjetshëm në Kishë


Shpesh, mediat e analistët lodhen së diskutuari nëse ka ndonjë mundësi që Papa Françesku të japë dorëheqjen. Në emisionin e sotëm, edhe ne po përfshihemi në vorbullën e debatit, për të sqaruar atë që na duket qëndrimi i Atit të Shenjtë, i cili nuk është aq i interesuar për të qenë “në krye” se sa për “të shërbyer”, duke ia lënë komandën dikujt tjetër, që vendos mbi fatet e botës e të njerëzve.

Në korrik 2013, në kthim nga Rio-de-Zhanejro, duke folur për paraardhësin e vet, Benediktin VI, Papa Françesku pati thënë: “Kur u tërhoq nga detyra, u bë shembull për mua… njeri i madh!”. Në gusht 2014, duke biseduar me gazetarët, gjatë udhëtimit nga Koreja në Romë, pati shtuar: “Mendoj se Papa i nderit nuk është përjashtim… Mendoj se ‘Papa i nderit’ është institucion… Mund të më thoni: ‘Nëse një ditë nuk do të mundeni më të ecni përpara?’. Do të bëja të njëjtën gjë, të njëjtën gjë! Do të lutem shumë, por do të bëja të njëjtën gjë”.

         Javës së kaluar, gjatë njërës prej meshëve të mëngjesit, Papa Bergoljo shpjegoi se “të gjitha shërbimet në Kishë duhet të kenë afat” e se “nuk ka drejtues të përjetshëm” në të, sepse “i vetmi i pazëvendësueshëm në Kishë është Shpirti Shenjt dhe i vetmi Zot është Jezu Krishti”. Foli në përgjithësi, për shërbimet në Kishë e në veçanti, për drejtuesit laikë, duke kujtuar se nuk kanë rëndësi dijet e përpjekjet e njerëzve apo protagonizmi i tyre, por aftësia për të mos u përqendruar tek vetvetja e për t’u mbështetur tek i vetmi “shkëmb”, Jezu Krishti.

         Foli si ipeshkëv e ipeshkvijtë duhet të largohen nga detyra në moshën 75 vjeç. Foli si jezuit. Detyra e eprorit të përgjithshëm të jezuitëve nuk ka afat mbarimi, por eprori i parafundit, atë Peter Hans Kolvenbach u tërhoq. E foli edhe si Papë, pasardhës i Papës së parë në historinë moderne të Kishës, që hoqi dorë nga detyra për shkak të moshës, duke hedhur poshtë një tabu, të cilën nuk kishin guxuar ta thyenin papët para tij.

         Megjithëse fjalët e Papës Françesku u referoheshin veçanërisht drejtuesve laikë të lëvizjeve e shoqatave të shumta kishtare, është e qartë se Bergoljo nuk e përjashton mundësinë të ecë në gjurmët e Benediktit XVI, po të vërejë se nuk është më në gjendje ta kryejë shërbimin, tashmë tejet të rëndë, të papnisë, pasi në shekullin e fundit, impenjimet janë shumëfishuar pa fund.

         Kur ishte kardinal në Buenos Ajres, Bergoljo pati vendosur të tërhiqej në një shtëpi të moshuarish për meshtarë, sapo ta linte udhëheqjen e dioqezës së vet. Por Konklavi ia "prishi" planet. Gjithsesi, nga fjalët e tij nuk del ndonjë vendim për tërheqje të programuar nga papnia e aq më pak, hipoteza për të caktuar ndonjë formë papnie me afat. Në rast se “nuk ia del dot më”, pasi “të jetë lutur shumë”, mund të bëjë si Papa Racinger. Pra, një mundësi, jo një vendim i marrë tashmë. Ndërkaq, ndodhet në Amerikën Latine e, në La Paz të Bolivisë, zemra e tij përballon 3640 metra lartësi. Në shtator do të shkojë në Kubë e në SHBA. Në nëntor, pas Sinodit për familjen e para hapjes së Jubileut, Françesku do të shkojë në Afrikë. Nuk duket si agjendë e një Pape, që ndjen se nuk ia del dot më.








All the contents on this site are copyrighted ©.