2015-07-09 14:05:00

Papa autoriteteve civile në Bolivi: “Sot mund të jetë koha e integrimit”


Pak orë pas arritjes në Bolivi, në katedralen e La Paz, Papa u drejtoi fjalën autoriteteve civile të vendit. Françesku theksoi me forcë “se problemet e mëdha, që trondisin njerëzimin, nuk mund të zgjidhen, nëse politika sundohet nga spekulimi financiar ose ekonomia mbahet vetëm mbi paradigmën teknokratike”.

Papa e quajti Bolivinë tokë e pafajshme, e bukur. Shembull, në një farë mënyre, për të gjithë Amerikën Latine, sepse sot, tha Françesku, në këtë tokë ku shfrytëzimi, lakmia, egoizmi dhe perspektivat sektare e errësuan historinë, sot, ngulmoi, mund të jetë koha e integrimit. Pikërisht në Bolivi mund të arrijnë “sintezat e reja kulturore”. Sa të bukura, vërejti në vijim,   janë vendet, të cilat e kapërcejnë mosbesimin e rrezikshëm dhe i integrojnë njerëzit e ndryshëm, duke e shfrytëzuar këtë integrim si faktor të ri të zhvillimit.

I gjithë ky proces kalon përmes respektit më të madh për njeriun: “Ambienti natyror dhe ambienti shoqëror, politik dhe ekonomik lidhen në mënyrë të pazgjidhshme” tha Papa, duke cituar disa fragmente nga Enciklika e tij “Laudato si’”.

E këtu, shtoi, hyn në lojë politika, që nuk duhet të sundohet nga spekulimi financiar, ose ekonomia, që nuk duhet të mbështetet vetëm mbi paradigmën teknokratike e utilitaristike të prodhimit më të lartë, sepse përndryshe nuk do të arrijë as t’i kuptojë, e aq më pak t’i zgjidhë, problemet e mëdha, që trondisin njerëzimin e sotëm.

Prej këndej duhen pasur mirë parasysh traditat popullore e roli i feve. “Liria fetare - nënvizoi Papa – na kujton edhe se feja nuk mund të rëgjohet vetëm në sferën subjektive”.

Pastaj Françesku ftoi për të mos e ngatërruar të mirën e përbashkët, me “mirëqenien”. “Mirëqenia, që synon vetëm begatinë materiale, ka prirjen të jetë egoiste – tha Papa. - Mirëqenia, në vend që të ndihmojë, mbart në gjirin e vet konfliktet e mundshme dhe shpërbërjen shoqërore; duke u afirmuar si perspektivë sunduese, lind një nga të këqijat më të rrezikshme: korrupsionin”.

Papa u rikthye edhe një herë tek vlerat pozitive, kujtoi me ngulm familjen, e cila duhet ndihmuar, nëse nuk duam t’i lëmë  fare pa mbrojtje njerëzit më të ligësht.

Temë tjetër kyçe, ishte emigracioni, plagë edhe për Bolivinë: “Një komb që kërkon të mirën e përbashkët, nuk mund të mbyllet në vetvete; rrjetet e marrëdhënieve e fuqizojnë shoqërinë. Duhen ndërtuar, prandaj, ura, jo mure”, ishte ftesa e Papës drejtuar shoqërisë civile në Bolivi.








All the contents on this site are copyrighted ©.