2015-07-09 13:07:00

Papa, klerit të Ekuadorit: nuk jemi mercenarë, hiri nuk paguhet


Papa Françesku e la mbrëmë (me orën evropiane) Ekuadorin për të shkuar në Bolivi, ku ndodhet edhe sot, në ditën e pestë të shtegtimit të tij apostolik në Amerikën Latine, tashmë në etapën e tij të dytë. Etapa e tretë do ta çojë Atin e Shenjtë, të premten, në Paraguaj, për t’u kthyer në Romë më 13 korrik. Para largimit nga toka ekuadoriane, Françesku u zhyt në lagjen e varfër të Tumbaco-s, në periferi të Quito-s, ku vizitoi Shtëpinë e të moshuarve të Misionareve të Dashurisë së Nënë Terezës; pastaj, takimi në Shenjtëroren e Virgjërës së Quinche-s me klerin, rregulltarët dhe seminaristët, të cilëve, duke u folur pa letër, u kërkoi të mos jenë karrieristë e të mos i harrojnë rrënjët e tyre.

Bëni si Maria, që ka jetuar si dishepulle

         Njerëz pa fund u shtrënguan rreth Papës, kur makina e tij, një Fiat Idea e përdorur për t’u zhvendosur në këtë udhëtim, lëvizi ngadalë, duke gjetur me vështirësi rrugën në mesin e turmës, për të shkuar drejt etapës së fundit ekuadoriane: shenjtërores kombëtare mariane “El Quinche”, ku e prisnin meshtarë, rregulltarë e seminaristë:

         “Kam një fjalim të përgatitur – u tha – por nuk kam aspak dëshirë ta lexoj!”. Duartrokitje simpatie. Pastaj fjalë, pa letër, që prekën zemra e shpirtra. Jeni zgjedhur falas nga Zoti, për të qenë dishepujt e tij, si Maria, nënvizoi Papa. Bëni si ajo, që nuk qe kurrë protagoniste, por jetoi gjithnjë si dishepulle:

         “Rregulltare, rregulltarë, meshtarë, seminaristë, çdo ditë përshkojeni këtë rrugë të kthimit në shërbimin falas, sepse falas ju ka zgjedhur Zoti. Ju nuk keni paguar ndonjë biletë për të hyrë në seminar, për të hyrë në jetën rregulltare. As që e keni merituar atë… E lutuni për hirin e moshumbjes së kujtesës, që të mos ndjeheni kurrë të rëndësishëm”.

Shmangjuni alzheimerit shpirtëror e karrierizmit

         Pastaj, Papa i këshilloi të pranishmit të kujdesen për shëndetin e shpirtit, që të mos u ngjitet sëmundja e rrezikshme e harresës së rrënjëve nga kanë ardhur, të cilën Ati i Shenjtë e përkufizoi si “alzheimer shpirtëror”. E mos u ndjeni të rëndësishëm, vijoi Papa, sikur ju kanë ngritur në përgjegjësi:

         “Shërbimi falas është hir, që nuk mund të bashkëjetojë me ngritjen në përgjegjësi. E kur një meshtar, një seminarist, një rregulltar, një rregulltare hyn në karrierë – nuk po flas për gjëra negative: karrierë humane – fillon të sëmuret nga alzheimeri shpirtëror, fillon ta humbasë kujtimin e vendit nga i cili vjen, nga e ka prejardhjen”.

Rruga e shërbimit

         Shërbeni e shërbeni, theksoi më tej Papa. Shërbeni pa pushim, edhe kur jeni të lodhur, edhe kur njerëzit ju shqetësojnë pa mbarim:

         “Sepse kush ecën në rrugën e shërbimit, duhet të lejojë ta shqetësojnë pa e humbur durimin. Sepse ai shërbim, në asnjë çast, nuk i përket”.

Hiri është pa pagesë

         Natën, para se të flini, i këshilloi Papa rregulltarët e meshtarët, mendoni për çdo gjë, që Zoti ju ka dhënë falas e falenderojeni për dhuratën e shërbimit falas. E ju lutem, përfundoi, mos lejoni t’ju paguajnë për hirin hyjnor:

         “Ju lutem, baritoria jonë të jetë falas”.

Fjalimi i pashqiptuar: nuk jemi mercenarë

         Edhe në fjalimin e përgatitur, të cilin nuk e lexoi, Papa Françesku u bën thirrje njerëzve të Kishës të heqin dorë nga çdo egoizëm e fitim; thekson se ata nuk janë mercenarë, por shërbëtorë; u kërkon të jenë të bashkuar e ta afrojnë Kishën me njerëzit, që i rrinë larg, pa shikuar rehatinë e interesin vetjak, por duke e çuar kudo dritën e Ungjillit.








All the contents on this site are copyrighted ©.