2015-07-09 13:03:00

Françesku në Bolivi: Kisha të jetë zë profetik për një shoqëri më të drejtë


Papa Françesku arriti në Bolivi, etapë e dytë e shtegtimit të tij në Amerikën Latine. Avioni papnor, i nisur nga Quito, kryeqytet i Ekuadorit,  arriti në La Paz pas orës 23.00, me një orë vonesë, sipas parashikimit të programit. Ceremonia e mirëseardhjes nisi me përqafimin e ngrohtë  të presidentit Evo Morales, që kishte dalë për ta pritur Françeskun, të cilin e quajti “Papa i të varfërve”. E Papa bëri thirrje pikërisht për ta vijuar udhën e kohezionit shoqëror, me vizion të gjithanshëm të progresit, që kujdeset kështu edhe për të varfërit, të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë për shkak të një mori interesash, që vënë qendër të jetës zotin para. I papërmbajtshëm, gëzimi i mijëra besimtarëve, të cilët e pritën Françeskun orë e orë gjatë gjithë udhës, që do të përshkonte nga aeroporti, në kryeqytetin la Paz.

Prej aeroportit më të lartë të botës, 4 mijë metra lartësi, i përqafuar nga presidenti Morales, që i vuri në qafë "Chiuspa-n", medalionin  tradicional të indianëve aimarë, e i shoqëruar nga nderimet ushtarake, nën tingujt e himnit bolivian të luajtur me quena, një lloj flauti vendas, Françesku e nisi vizitën baritore në Bolivi, 27 vjet pas kalimit në këto troje të Gjon Palit II. Gëzim buçimtar, për mijëra shtegtarë, ndërmjet të cilëve, një mori fëmijësh të veshur me kostumet indiane,  me ngjyra të ndezuara vezulluese.

E pikërisht kjo larmi në unitet e frymëzoi menjëherë Papën Françesku,  nësa sodiste madhështinë e maleve, blerimin e luginave, pyjet pa fund të trojeve amazonike, okrën e shkretëtirave dhe pasurinë plot larmi të realitetit etnik e kulturor bolivian, një mori popujsh, me rrënjë mijëravjeçare e popujsh të rinj që, theksoi, përbën pasurinë më të madhe e njëkohësisht tingëllon edhe si thirrje e përhershme për respekt e dialog  të anasjelltë:

“Cuánta alegría nos da saber que el castellano traído a estas tierras hoy convive con 36 idiomas originarios…

“Sa gëzohem - tha Papa - kur mësoj se gjuha kastelane, që u soll në këto troje, sot bashkëjeton me 36 idiomat e zanafillës, duke u përzjerë, siç përzjehen në lulet kombëtare të kantuta e patujù, e kuqja dhe e verdha. Për të krijuar bukuri e unitet në larmi. Në këtë tokë e në këtë popull u rrënjos me forcë kumtimi i Ungjillit, që gjatë viteve ndriçoi bashkëjetesën, për të dhënë një ndihmesë tejet të çmuar në zhvillimin e popullit e  të kulturës së tij”.

Duke sqaruar menjëherë karakterin baritor të vizitës, si shtegtar e mysafir, i ardhur për të përforcuar fenë e besimtarëve, që të jenë tharm për një botë më të mirë, Françesku vlerësoi hapat e rëndësishme përpara të Bolivisë për t’i përfshirë sektorët e shumëllojshëm të popullsisë në jetën ekonomike, shoqërore e politike të vendit. Vlerësoi lart edhe ndjeshmërinë e institucioneve vendase për të drejtat e pakicave, të njohura edhe në Kushtetutë, dhe bëri thirrje për një frymë të re bashkëpunimi qytetar e dialogu:

“El progreso integral de un pueblo...

“Progresi i gjithanshëm i një populli synon t’i pasurojë njerëzit me vlera dhe të nxisë bashkëpunimin për idealet e gjithmbarshme, që i bashkojnë njerëzit, pa përjashtuar askënd. Nëse zhvillimi mbetet vetëm material- shpjegoi Papa Françesku - krijohet gjithnjë rreziku i lindjes së ndryshimeve të reja, rreziku që begatia e njërës palë, të ndërtohet mbi mjerimin e tjetrës. Prandaj, përveç transparencës institucionale, kohezioni shoqëror kërkon edhe përpjekjen për edukimin e qytetarëve”.

Një përpjekje e tillë edukative duhet të niset nga vëmendja ungjillore për të varfërit, të fundmit, sepse nuk mund të besohet në Hyjin Atë, pa parë vëllain në çdo njeri, pa kryer detyrën e shenjtë të përkujdesjes për të flakurit jashtë shoqërisë, për shkak të interesave të disa njerëzve, që nuk kanë zot tjetër, veç parasë.  Edukimi, sipas Papës, duhet të synojë  në kujdesin e posaçëm për fëmijët e në edukimin e të rinjve me ideale fisnike, sepse fëmijë e të rinj janë garancia e vërtetë për një ardhmëri të sigurt. Ardhmëri, që duhet t’i përfshijë e t’i vlerësojë edhe të moshuarit e që nuk mund ta përjashtojë kujdesin për famijen:

“En una época en la que tantas veces se tiende a olvidar...

“Në një epokë, e cila shpesh herë ka prirjen t’i harrojë ose t’i ngatërrojë vlerat themelore, familja meriton një vëmendje të veçantë nga ana e atyre, që përgjigjen për të mirën e përbashkët, sepse është qeliza themelore  e shoqërisë, që siguron lidhje të forta bashkimi, mbi të cilat bazohet bashkëjetesa shoqërore e, me lindjen dhe edukimin e fëmijëve të saj, siguron përtëritjen e shoqërisë”.

Më pas Papa iu drejtua emigrantëve të shumtë bolivianë:

“Llevo en el corazón especialmente a los hijos de esta tierra... 

“I kam në zemër posaçërisht bijtë e kësaj toke që, për një mori arsyesh, nuk janë këtu, sepse iu desh të kërkonin një dhe tjetër, që t’i mikpriste, një vend tjetër,  ku toka mëmë t’i bënte pjellorë e t’u jepte mundësinë  e jetës”

Françesku shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në këtë tokë, që quhet paqësore, mbron të drejtën e kulturën e paqes, atdhe i bekuar nga Zoti: ditët e ardhshme, kujtoi, do të karakterizohen nga çaste takimi e dialogu e kremtimesh të fesë.

Duke kujtuar, pastaj hyrjen e Kushtetutës boliviane,  e cila përshkruan poetikisht kohë që më s’mbahen mend, kur ngriheshin lart malet e luginat mbuloheshin me lule shumëngjyrëshe, bëri thirrje për ta mbrojtur gjithësinë: “Bota – tha – është diçka më shumë se një problem për t’u zgjidhur, është mister gëzimi, që e kundrojmë në hare e lavdërim”.

Nga ana e  tij, presidenti Morales, e përshëndeti në  emër të mbarë Bolivisë Papën, që erdhi  të kontribuojë për shpengimin e të varfërve, me mesazhin e tij të fesë, të shpresës, të çlirimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.