2015-07-09 16:52:00

Dhuratat e Morales e të Papës


Një dhuratë paksa e çuditshme

Në çastin e shkëmbimit të dhuratave, presidenti Evo Morales i dorëzoi Françeskut një petk liturgjik e një kryq krejt të veçantë. Boshti vertikal i kryqit përshkohej nga një drapër, duke krijuar simbolin e mirënjohur komunist të draprit e çekanit. Me Krishtin e kryqëzuar mbi të! E më pas i vuri në qafë edhe një medalion me një kllef, mbi të cilin shihej e njëjta figurë. Krishti i kryqëzuar, mbi drapër e çekan. Ç’deshi të tregonte presidenti me këtë dhuratë? Ku ta dish!

Dhurata e Papës

Dimë vetëm atë, që e pamë. Papa, krejt i çuditur, e hoqi shpejt e shpejt dhuratën nga qafa dhe iu përgjigj presidentit me disa dhurata, më të përshtatshme e që përkonin më shumë me atë çast festiv; me një riprodhim të ikonës së lashtë të Zojës “Shpëtimi i Popujve Romakë”, që atë çast shndërrohej në “Shpëtim i popujve bolivianë”, një kopje, në spanjisht, të Enciklikës “Laudato si’” dhe një tjetër, të nxitjes apostolike “Evangelii gaudim”, me fjalët plot shpresë, ngërthyer në të: “Gëzimi i vërtetë buron nga Ungjilli”.

Chiuspa

Quhet “Chiuspa”, medalioni tradicional, që Morales ia vuri në qafë Papës. Është një kllef, në të cilin bolivanët mbajnë fletë koke, që mund të përtypen, ose të zjehen si çaj, për të mënjanuar pasojat e lartësisë, me që jetojnë më afër qiellit, sesa tokës, gjë që mund të ketë pasoja të rrezikshme për njeriun e gjallë! E atë çast Papa ishte vërtet tepër lart nga toka.

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.