2015-07-08 12:34:00

Papa: të ndërtohet shoqëria e përfshirjes së të gjithëve, të mposhtet kultura e hedhurinës


Të nxitet gjithnjë përfshirja, për të fituar mbi egozimin dhe mbi kulturën e hedhurinës. Kjo, porosia e Papës drejtuar përfaqësuesve të shoqërisë civile të Ekuadorit, të cilët i takoi në Kishën e Shën Françeskut të Quito-s, ndërtesa katolike më e lashtë në gjithë Amerikën Latine. Para se të fliste Papa, kryebashkiaku i kryeqytetit ekuadorian i dorëzoi Françeskut çelësat e qytetit.

Shoqëria të mësojë nga familja, që askush të mos ndjehet i përjashtuar. Papa Françesku u drejtoi përfaqësuesve të shoqërisë ekuadoriane një fjalim të apasionuar, duke shtuar herë pas here reflektime jashtë tekstit, për të nënvizuar një temë, të cilën e ka shumë për zemër: përfshirjen e çdo njeriu, për të fituar mbi kulturën e hedhurinës. Kuptimplotë, lidhur me këtë, fakti që fjalimit të Papës, përveç disa dëshmive, i parapriu edhe ekzekutimi i një pjese muzikore nga Orkestra Sinamune, kompozuar prej të rinjve, të prekur nga sindroma e Down. Papa e përqendroi fjalimin kryesisht mbi tri pika: shërbim falas, solidaritet, ndihmë. Në familje, vërejti, të gjithë kontribuojnë për jetën e përbashkët, të gjithë punojnë për të mirën e përbashkët, por pa e përjashtuar asnjë nga familjarët; përkundrazi, duke e mbështetur e duke e nxitur. Uroj, kështu, që çdo njeri ta shikojë kundërshtarin politik, e edhe fqinjin e portës pranë, me të njëjtin sy, që shikon familjarët e tij.

“Amamos nuestro país, la comunidad que estamos intentando construir?”

A e duam vendin tonë, bashkësinë, që jemi duke e ndërtuar? Pyeti Françesku e, duke cituar Shën Injacin e Lojolës, nënvizoi se “dashuria tregohet më shumë me vepra, sesa me fjalë”.  Në fushën shoqërore, pohoi më tej, të shërbesh falas, nuk është diçka e tepërt. Është kusht i nevojshëm për të qenë me të vërtetë i drejtë. Gjithçka jemi e gjithçka kemi, na u dhurua për ta vënë në shërbim të të tjerëve. Detyra jonë është ta bëjmë të japë fryte përmes veprave të mira.

“Los bienes están destinados a todos…”

Pasuritë u përkasin të gjithëve kujtoi e, duke iu drejtuar posaçërisht popujve indianë, ardhur nga Amazona, vuri në dukje se shfrytëzimi i burimeve natyrore, tejet të pasura në Ekuador, nuk duhet bërë duke kërkuar fitimin e menjëhershëm. “Ruajtja e këtyre pasurive, që i morëm falas, na  ngarkon me detyra ndaj shoqërisë e ndaj breznive të ardhshme. Ka vende, shtoi Papa, që kërkojnë kujdes të veçantë, për shkak të rëndësisë së tyre të jashtëzakonshme për ekosistemin botëror. Nga vëllazërimi i jetuar në familje, shtoi, lind solidariteti në shoqëri, që nuk do të thotë thjesht t’u japim lëmoshë nevojtarëve, por të  kemi përgjegjësi  për njëri tjetrin. Nëse  e shikojmë tjetrin si vëlla, askush nuk mbetet i përjashtuar, i veçuar, i vetmuar”.

 “Las normas y la leyes, así como los proyectos…”

Normat e ligjet, ashtu si dhe planet e shoqërisë civile, duhet të synojnë  përfshirjen për të krijuar hapësira dialogu, takimi  e kështu, të mbetet vetëm si kujtim i dhimbshëm çdo tip i shtypjes, i kontrollit të pakufizuar dhe i grabitjes së lirisë. Shpresa për një ardhmëri më të mirë, vijoi Papa, kërkon që qytetarëve, e posaçërisht të rinjve, t’u krijohen mundësi reale, kushte për të punuar. Këtu Papa, duke folur lirisht,  paditi me forcë kulturën e hedhurinës, që prek para së gjithash të rinjtë e pleqtë, me pasoja tejet të rënda, deri në vetëvrasje. Kujt i pëlqen vetëvrasja e tjetrit?  Pyeti Papa, për t’u përgjigjur sakaq: “Shërbëtorëve të egoizmit, hyjit para, në qendër të një sistemi, që i shtrydh të gjithë nën thundrën e hekurt”.

Në përfundim Françesku i kushtoi vëmendje të veçantë përmasës së ndihmës. Duke pranuar atë, që është më e mirë në të tjerët, pavarësisht nga kufizimet, vijoi, shikojmë pasurinë, që karakterizon larminë si dhe vlerën e përplotësimit të njëri-tjetrit. Njerëzit, grupet, kanë të drejtë të ecin në rrugën e jetës së tyre, pavarësisht se gjatë ecjes mund edhe të gabojnë. Dialogu, theksoi, është themelor për të arritur tek e vërteta, që nuk mund të imponohet, por duhet kërkuar me sinqeritet e frymë kritike. E më tej vuri në dukje se në një demokraci gjithëpërfshirëse, të gjitha forcat shoqërore duhet të jenë protagoniste. Edhe Kisha, pohoi, dëshiron të punojë për  kërkimin e së mirës së përbashkët me veprimtaritë e saj shoqërore, edukative, duke promovuar vlerat etike e shpirtërore e duke qenë shenjë profetike, që  sjell një rreze drite e shprese për të gjithë, posaçërisht për më nevojtarët.

“Muchos me preguntarán: Padre, por qué habla tanto de los necesitados…”

“Shumë - tha në përfundim - më pyesin pse flas kaq tepër për nevojtarët, njerëzit e përjashtuar, në skaj të rrugës. Thjesht, pohoi, sepse ky realitet e përgjigjja që i duhet dhënë, janë në qendër të Ungjillit”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.