2015-07-08 15:51:00

Papa botës së edukimit: të mendohet me urgjencë për gjithësinë!


Në ditët tona duhet të mendojmë e të diskutojmë me “urgjencë” për gjithësinë, për dëmin, që kemi shkaktuar me “shpërdorimin e pasurive”, të cilat na i dhuroi Zoti, duke u angazhuar të mos ua kthejmë shpinën vëllezërve tanë. Është reflektimi i Papës në Quito, ku u takua edhe me përfaqësues të shkollës e të universitetit në Ekuador.

Ruajtja e gjithësisë për bijtë e nipat tanë

“E morëm nga Zoti këtë tokë, si trashëgimi, si dhuratë, si peshqesh, që duhet ndarë bashkërisht e duhet ruajtur: ‘Sot kjo ftesë na impononohet me forcë’. Në Universitetin Papnor Katolik të Ekuadorit, shkollë e lartë, e drejtuar nga jezuitët, ku mësojnë më se 30 mijë studentë, Papa Françesku u rikthye tek temat e Enciklikës “Laudato si’” dhe nisi të reflektojë për rolin e bashkësisë edukative të të rinjve, duke e parë si “farë e shndërrimeve të shoqërisë”.

“Ante la globalización del paradigma tecnocrático que tiende a creer…

Përballë globalizmit të paradigmës teknokratike, që ka prirjen të besojë se sigurimi i pushtetit është progres, siguri, dobi, mirëqenie, forcë jetike, përsosje vlerash, sikur realiteti, e mira dhe e vërteta të  lulëzonin vetvetiu nga vetë pushteti i teknologjisë dhe i ekonomisë, nuk mund të mos  dëshirojmë të mendohet, të kërkohet, të diskutohet urgjent situata aktuale: cilin tip kulture duam a pretendojmë të zgjedhim, jo vetëm për ne e për fëmijët tanë, por edhe për nipat”.

I shpërdoruam të mirat, me të cilat Zoti  e begatoi “tokën mëmë”

Në ndërtesën moderne, rreth dy kilometra larg Quitos, i pritur nga imzot Alfredo Jose Espinosa Mateus, kryetar i Komisionit Ipeshkvnor për edukimin, nga një studente, një pedagog e edhe nga rektori, Cesar Fabian Carrasco Castro, Papa kujtoi se Jezusi jepte mësim përmes shëmbëlltyrëve në mënyrë që ta kuptonin të gjithë, jo si të ishte doktor, por si mësues, i cili synon të arrijë në zemër të njeriut. Ja, pra pse, përballë së keqes, që i shkaktojmë tokës mëmë, për shkak të përdorimit të papërgjegjshëm dhe shpërdorimit të pasurive, me të cilat e begatoi Zoti, Papa nuk ngurroi të pyesë atë, që e dëgjon: “Si duam t’ua lëmë breznive të ardhshme gjithësinë, ‘dhuratë’, dhanti, ofertë e Zotit, sepse, kujtoi, nuk është ndonjë gjë që e fituam a që e blemë në pazar: na parapriu e do të jetë edhe pas nesh. Po si?

Askush nuk kujtohet për varfërin, që vdes nga uria e nga e ftohta  

Papa i nxiti të gjithë të mos ia kthejnë më shpinën realitetit tonë, vëllezërve tanë. Tregoi, i prekur në shpirt e i hidhëruar sa më s’ka, sesi një herë, në Romë, madje fare pranë Vatikanit, pa, në pikë të dimrit, një burrë të ngrirë. Kishte vdekur nga e ftohta. I rrethuar nga heshtja e përgjithshme. Vërtetoi, kështu, se ky nuk është lajm për kronikat e gazetave, që merren me gjëra krejt të tjera:

 “Un pobre que muere de frío y de hambre hoy no es noticia...

“Një i varfër, që vdes sot nga e ftohta e nga uria, nuk është lajm, por nëse bursat e kryeqyteteve kryesore pësojnë rënie prej dy a tri pikash, bota globale shkandullohet nga ky soj lajmi. Ky i intereson! Nuk mund të mos e pyes këtë soj bote: ‘Ku është yt vëlla?’. E ju kërkoj edhe ju të gjithëve ta pësërisni këtë pyetje e të jehojë në gjitha hapësirat e universitetit. Ju, Universitete katolike, po ju pyes: ‘Yt vëlla, ku është?’”.

Shkolla si fidanishte

Françesku e nxiti botën universitare të meditojë për edukimin, lidhur ngushtë me fatet e kësaj toke, që bërtet në kupë të qiellit:

“Nuestros centros educativos son un semillero...

Shkollat tona janë fidanishte, janë mundësi, truall pjellor, që duhet ta lërojmë, ta bëjmë të prodhojë e ta mbrojmë. Tokë pjellore, plot etje për jetë!”

Misioni i edukatorëve

“Edukatorët duhet të kujdesen shumë për studentët, duke i ndihmuar të zhvillojnë frymën kritike, shpirtin e lirë, aftësinë për të marrë në dorë fatet e botës së sotme, duke e nxitur e duke e vijuar diskutimin konstruktiv, që lind nga dialogu lidhur me një botë më njerëzore. Familjet, shkollat, pedagogët, nuk duhet ta identifikojnë diplomën me një ‘status më të ngritur, me paratë, prestigjin shoqëror’, por duhet ta shikojnë si shenjë e një përgjegjësie më të madhe për problemet e sotme e të një respekti më të thellë për më të varfërit si dhe për mbrojtjen e ambientit”- shtoi Papa.

“No basta con realizar análisis, descripciones de la realidad...

Nuk mjafton të bësh analiza, përshkrime të realitetit, duhet t’u japësh jetë ambienteve, vendeve të kërkimit të mirëfilltë shkencor, debateve nga të cilat lindin alternativa për problemet ekzistuese, posaçërisht sot”.

Të rinjtë janë të thirrur të japin ç’kanë më të mirë

Roli kryesor u takon të rinjve, që janë e tashmja dhe e ardhmja e Ekuadorit. Të rinjve, të cilët i duartrokitën disa herë fjalët e Papës, e duatrokitën stuhishëm mandatin për të dhënë ç’kanë më të mirë, për ndërtimin e një shoqërie më të begatë e më njerëzore, ekuadoriane e botërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.