2015-07-07 17:38:00

Thirrje e Kishës kaldease, drejtuar myslimanëve të moderuar


“Myslimanët e moderuar duhet t’i kundërvihen çmendurisë shkatërrimtare të Shtetit islamik, duhet të përpiqen të reagojnë me gjithë popullsinë dhe të bashkëpunojnë edhe me pjesën tjetër të shoqërisë. Vetëm kështu mund të vihen në shërbim të së mirës së përbashkët, të së mirës të të gjithë njerëzve e edhe të së mirës së vet”. Këtë nënvizon imzot Shlemon Warduni, ipeshkëv-ndihmës i Babilonisë së kaldenjve, duke kujtuar ngjarjet tragjike të kohëve të fundit, që po vijojnë të mbysin në gjak zona të ndryshme të    planetit. “Thirrja ime - shpjegon ipeshkvi ndihmës gjatë një interviste dhënë faqes së internetit Vatican insider - u drejtohet gjithë myslimanëve të moderuar. Ata e dinë se të kesh fe, do të thotë të pranosh vullnetin e Zotit. Për ne, të krishterët, situata bëhet përherë më e keqe. Të mbetesh i krishterë në Irak, është gjithnjë më e vështirë e më e rrezikshme. E në një situatë të tillë jetojnë edhe pakicat e tjera”.

Kërkon dialog, ipeshkvi kaldeas, në emër të bashkësisë katolike. Duhet hequr dorë nga fanatizmi, ngulmon, nëse nuk duam që gjithçka të përfundojë edhe më keq. Vetëm sunitët e moderuar mund t’i vënë pritë përparimit të xhihadistëve. Fundamentalistët fanatikë nuk i kanë lexuar kurrë Shkrimet e Shenjta, nënvizon, përndryshe do ta dinin se Zoti është i mëshirshëm.

Ipeshkvi kaldeas nuk ka asnjë dyshim: fitorja e moderatizmit do të thotë edhe fitore e së mirës së përbashkët. Është e vetmja rrugë shpëtimi në situatën shpërthyese, të rrezikshme për mbarë bashkësinë ndërkombëtare. Duhet të jetë përparësi gjeopolitike për perëndimin e edhe për Kombet e Bashkuara.

Nëse Iraku dhe pjesa tjetër e Lindjes së Mesme është kaq keq, nënvizon imzot Warduni, kjo ndodh edhe pse bota hesht e nuk bën asgjë. E kështu, ne, të krishterët, jemi ndërmjet dy zjarresh. Si pakica, kërkojmë vetëm të mbijetojmë. Por kur dalim nga shtëpitë në mëngjes, nuk e dimë në se do të kthehemi në mbrëmje. Na kërcënojnë, na persekutojnë. Milicët e Shtetit islamik nuk kanë mëshirë, nuk kanë Zot. Vrasin pa  pikë humaniteti.

Vitin e fundit më shumë se 125 mijë të krishterë u detyruan të ikin nga fshatrat e tyre, vetëm e vetëm pse deshën të mbeteshin të krishterë, duke i refuzuar kushtet e vëna nga Shteti islamik.








All the contents on this site are copyrighted ©.