2015-07-07 14:23:00

Papa në katedralen e Quitos: askush nuk duhet përjashtuar


“Të mos ketë ndryshime e askush të mos përjashtohet”: kështu u shpreh Papa para turmës vigane, mbledhur mbrëmë për ta pritur jashtë katedrales së Quitos, ku shkoi për t’u lutur pas takimit me presidentin ekuadorian.

“Vij në Quito si shtegtar, për të ndarë me ju gëzimin e ungjillëzimit”. Françesku, që arriti në këmbë në katedrale, nga pallati presidencial aty pranë, iu drejtua papritmas, duke folur lirisht, mijëra besimtarëve që e prisnin në treme. I rrethuar nga një entuziazëm vërtet festiv, dalë nga mijëra zemra, Papa përshëndeti e bekoi “Kombin e madh” dhe “Popullin fisnik të Ekuadorit”:

“Les voy a dar la bendición, les voy a dar la bendición, para cada uno de ustedes, para sus familias, para todos los seres queridos y para este gran pueblo y noble pueblo ecuatoriano….”

“Ju jap bekimin, i jap bekimin secilit prej jush, familjeve tuaja dhe gjithë të dashurve, si dhe këtij populli të madh e fisnik ekuadorian, duke uruar të mos ketë ndryshime, seleksionime, njerëz të flakur, që të gjithë të jenë vëllezër e askush të mos përjashtohet e të mos mbetet jashtë këtij Kombi të madh. E bekoj secilin prej jush e edhe familjet tuaja. Për ta ndërtuar këtë katedrale, shtoi më pas, punimet e transportit, të skalitjes së gurit, të ndërtimit të mureve, u bënë sipas traditës sonë, të popujve vendas; është punë e të gjithëve, në favor të bashkësisë, punë anonime, pa publicitet e pa  duartrokitje. Dashtë Zoti, tha në përfundim Papa që, ashtu si gurët e kësaj katedraleje, edhe ne t’i ngarkojmë mbi supe nevojat e të tjerëve, duke ndihmuar për të ndërtuar a për të meremetuar jetën e shumë e shumë vëllezërve, që nuk mund ta ndërtojnë vetë, ose  që e panë t’u shembet, pa forcë për ta ngritur përsëri. Dashtë Zoti!".








All the contents on this site are copyrighted ©.