2015-07-07 13:46:00

Në Quito, takimi i Papës me Presidentin


Mbrëmë Papa shkoi në Pallatin presidencial për t’i bërë një vizitë mirësjelljeje Presidentit të Ekuadorit, Rafael Correa. Nuk mbajti ndonjë fjalim, siç qe paralajmëruar. Ishte takim personal i Papës me Presidentin: 20, 30 minuta dialogu, pa praninë e ministrave. E më pas, takimi me familjarët, gruan, nënën e fëmijët dhe shkëmbimi i dhuratave, të thjeshta, por domethënëse. Papa i dhuroi Correas një mozaik të Zojës së Bekuar të Shën Palit jashtë Mureve dhe dy dokumente: Evangelii Gaudium, nxitja apostolike programatike e papnisë dhe burim i motove të këtij shtegtimi, si hareja që buron nga kumtimi i Ungjillit dhe enciklikën e re, “Laudato si’”. Presidenti i dhuroi Papës një pikturë me fasadën e Kishës së Shoqërisë së Jezusit, në Quito, që Françesku do ta vizitojë në përfundim të ditës.

Njëkohësisht u zhvillua edhe një bisedë e përzemërt e sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin  e nuncit, kardinalit Vela, me disa nga autoritetet, ndërmjet të cilëve, Ministri i Jashtëm i Ekuadorit. U bisedua për ngjarjet më të rëndësishme ekuadoriane të dhjetë vjetëve të fundit.

Në përfundim të bisedimeve personale me Presidentin, Papa Françesku  shkoi në tarracë, për të përshëndetur njerëzit e grumbulluar në shesh.  Nuk foli, vetëm përshëndeti e bekoi. Më pas, takimi i përzemërt i disa prej autoriteteve me Papën e grupin shoqërues. Të pranishme edhe motrat e një kuvendi të klauzurës, që u lejuan të dilnin nga vetëmbyllja, për t’u takuar me Françeskun.








All the contents on this site are copyrighted ©.