2015-07-07 16:06:00

Miqtë e mirë mbeten miq për gjithë jetën: larg syrit, e pranë zemrës


Kanë kaluar më se 30 vjet që kur u takuan për herë të fundit. Papa Bergoglio e sivëllai i tij, atë Francisco Cortes Garcia, sot 91 vjeç, i njohur nga të gjithë me emrin përkëdhelës patër Paquito. Jorge e Paquito, të dy rregulltarë të thjeshtë jezuitë, u takuan për herë të parë në vitet ’80, gjatë një shtegtimi të Bergoglios në Ekuador, për të gjetur një institut ku t’i çonte disa rregulltarë të sapo shuguruar, për të vijuar formimin. Dy muaj më pas, atë Bergoglio u rikthye në Guayaquil, në Kolegjin Javier, dhe ia besoi atë Paquitos dy meshtarët e parë. Pastaj misionari spanjoll vizitoi Buenos Aires-in, për t’u takuar me Bergoglion e për të biseduar me të për formimin e meshtarëve. Ishte hera e tretë dhe e fundit që takoheshin. E tani, pas 30 vjetësh, kur jezuiti plak ka mbetur rregulltar i thjeshtë, e jezuiti argjentinas është bërë Papë, atë Paquito kujton: “Kur u nisa nga Argjentina për Ekuador, Mario e ngau vetë makinën e më shoqëroi deri në aeroportin Ezeiza të Buenos Aires. Pimë bashkë nga një kafe në bar e mandej më dhuroi shumë prodhime argjentinase. Atëherë e pashë edhe më mirë sa njeri i sjellshëm ishte, plot mirënjohje, me mendje të kthjellët, me sjellje të thjeshtë, me shpirt të ndritur. Por, të them të drejtën, as që më shkoi në mendje se pas 30 vjetësh do ta takoja përsëri. E këtë herë, si Papë. E aq më pak, tani kur ishte aq i zënë. Ndoshta-ndoshta do të më kishte harruar fare, ose do të mendonte se tashmë kisha shkuar të pushoja në shtëpinë e Atit qiellor. Po Bergolio u kujtua për mua. E nuk shkova unë ta takoj. Erdhi ai vetë. E më gjeti të mrekulluar e të ngrirë nga emocioni e habia. E konsideroj këtë si bekim i posaçëm, që më vjen nga qielli", kujton jezuiti plak, i ardhur në Ekuador nga Malaga e Spanjës, në vitin 1963, për të mos u rikthyer kurrë më në Atdhe.

"Pas 30 vjetësh mund të mos kujtohej më fare për mua", vijon ende i emocionuar deri në lot. Por miqtë e mirë, me sa duket, mbeten miq për gjithë jetën. Larg syrit, e pranë zemrës!








All the contents on this site are copyrighted ©.