Për Shën Astin gojëdhëna na sjell shumë pak lajme e shumë pak është gërmuar arkeologjia
apo ndër kujtesa e ndër libra për ta rikrijuar edhe një herë jetën e këtij bariu martir.
Dimë me siguri se Shën Asti ishte ndër ipeshkvijtë e parë të Durrësit gjatë sundimit
të Trajanit (98-117), në sa Iliriku qeverisej nga Agrikolao. Pikërisht në këtë kohë
u martirizua Shën Asti, sepse nuk pranoi të nderonte shtatoren e Dionizit. Duhet të
ketë qenë viti 100, kur ipeshkvi trim derdhi gjakun për Krishtin, duke dhënë dëshminë
më lartë.
Një ditë të nxehtë të korrikut Shën Astin e zhveshën lakuriq duke i lyer trupin me
mjaltë dhe e varën në një pemë, ku dha shpirt pas torturave të mëdha e çnjerëzore.
Pastaj trupin e tij e morën të krishterët dhe e varrosën. Më vonë mbi varrin e Shën
Astit u ngrit një Kishë e madhe katedrale dhe Shën Asti u shpall mbrojtës i qytetit
të Durrësit.
Emri i Shën Astit, gjendet edhe në përshkrimin e martirizimit të Pelegrinit, Luçianit,
Ezikut, Papios, Saturninit e Gjermanit që, sapo ishin strehuar në Durrës, panë trupin
e Astit akoma të mbërthyer në kryq e, të ngushëlluar nga flijimi i tij, shpallen se
ishin të krishterë dhe pësuan menjëherë të njëjtin fat. Menologu i Bazilit e kremton
Astin më 6 korrik e po në këtë datë, edhe Vjetari kishtar greko-sllav.
Ndërsa në Senasarin e Kostandinopojës, festa e tij kremtohet më 7 korrik, së bashku
me Shën Pelegrinin e shokët martirë të Durrësit. Emri i Shën Astit ishte i nderuar
në gjithë zonën e Shqipërisë Veriore, gjë që e vërteton Kisha e françeskanëve në Rubik
e cila, në se i besojmë dëshmive gojore të përcjella brez pas brezi në popull, duhet
të ketë qenë fillimisht e Etërve Benediktinë, për t’u kaluar më pas françeskanëve
– siç dëshmon Farlati tek vepra monumentale “Illyricum Sacrum”. Kisha e vogël ishte
e pikturuar me afreske, poshtë të cilave shkruheshin citate nga Shkrimi Shenjt si
edhe emrat e shenjtërorëve të pikturuar. Ndërmjet tyre ishte edhe emri i Shën Astit,
ipeshkvit e martirit të Durrësit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |