2015-07-07 15:45:00

Kishat evropiane e kujdesi për thirrjet meshtarake


Në Prag, nga data 6 deri më 9 korrik, mbahet takimi i Shërbimit Evropian për Thirrjen e shenjta (EVS) mbi temën “Si t’i shoqërojmë të rinjtë në udhën e meshtarisë e të jetës së përkushtuar duke u nisur nga familja në botën e sotme”. Takimi është organizuar nga Komisioni i Këshillit të Konferencave ipeshkëvnore katolike evropiane për thirrje të shenjta. Në këtë takim marrin pjesë drejtorët e shërbimeve për thirrje të shenjta të Konferencave ipeshkëvnore katolike të Evropës.

“Qëllimi kryesor i këtij Simpoziumi evropian është të vë në qendër të vëmendjes e të jetës baritore një prioritet thelbësor për mbarë Kishën e për vet zyrat përgjegjëse të konferencave ipeshkëvnore evropiane që kujdesën për familjen e thirrjet e shenjta: krijimin e kushteve të përshtatshme për ata që punojnë në fushën e misionit familjar, në mënyrë që kjo ‘kishë shtëpiake’, që është familja,vendi i parë ku transmetohet feja, të mund të jetë vërtetë kraharor i frytshëm i thirrjeve të shenjta”. Kështu pohoi Imzot Domenico dal Molin, drejtor i zyrës për thirrje të shenjta pranë Konferencës ipeshkëvnore italiane e koordinator i Komisionit të Këshillit të Konferencave ipeshkëvnore evropiane për thirrje të shenjta – njofton agjencia Sir – duke shpjeguar synimin e Kongresit evropian të këtij viti që po mbahen në kryeqytetin e Republikës së Çekisë. Kisha e ka për detyrë t’i shoqërojë të rinjtë në zbulimin e përqafimin e thirrjes që Zoti ua drejton dhe t’i përcjellë në udhën e formimit drejt meshtarisë dhe jetës së përkushtuar, në kontekstin kulturor, në të cilin gjendet familjes sot.

Thirrja e Shenjtë do të thotë dëgjim i zërit të Hyjit e pastaj përqafim i një udhe dhe misioni që kërkon tërën jetën në shërbim të vëllezërve e motrave, në Emër të Tij. Prandaj ndjekja e vullnetit të Zotit nuk e asgjëson, as e shkatërron njeriun. Sidomos në këtë kohë, kur zëri i Zotit duket sikur mbytet nga zëra të tjerë dhe propozimi për ta ndjekur, duke e dhuruar jetën, mund të duket tepër i vështirë, çdo bashkësi e krishterë, çdo besimtar duhet të marrë përsipër me vetëdije impenjimin për të nxitur thirrje të reja.

Kisha këshillon të inkurajohen dhe të mbështeten ata të rinj që tregojnë shenja të qarta se duan të bëhen meshtarë, apo rregulltarë. Duhet ta ndjejnë ngrohtësinë e krejt bashkësisë, kur i thonë “po” Zotit dhe Kishës, u nënvizua në Simpoziumin e Pragës. Kisha  i inkurajon ata që kanë vendosur të hyjnë në seminar, të cilëve u përsërit: ‘Keni bërë mirë’. Sepse njerëzit do të kenë përherë nevojë për Zotin, edhe në epokën e mbizotërimit të teknikës e të globalizimit. Do të kenë nevojë për Zotin, që na është zbuluar e treguar në Jezu Krishtin e që na mbledh në Kishën universale, për të mësuar me Të e përmes Tij jetën e vërtetë e për t’i pasur parasysh e për t’i zbatuar kriteret e humanitetit të vërtetë. Në fund, një nxitje ipeshkvijve evropian të mendojnë për nevojat e krejt Kishës, duke sensibilizuar të rinjtë për bukurinë, madhështinë dhe vlerën e meshtarisë. Kisha duhet të kujdeset pareshtur për thirrje të shenjta.

Një shembull, që mund të na japë një ide se ç’është jeta meshtarake dhe ajo e shuguruar, është edhe ai i një pylli ekzotik, me shumë variante pemësh e lulesh – disa të sapolindura, të tjera me një farë moshe e të tjera akoma, që kanë nevojë për kujdes të veçantë. Por ky pyll, i marrë së bashku, i jep frymë, i jep oksigjen krejt Kishës. Jeta meshtarake dhe ajo e shuguruar është e gjallë dhe lulëzon, prandaj Kisha dëshiron t’u thotë të rinjve se ia vlen ta marrësh këtë rrugë të Zotit.

E ne po kujtojmë edhe një herë temën e mesazhit të këtij viti të Papa Françeskut për Ditën e 52-të Botërore të Lutjes për Thirrjet meshtarake e rregulltare që është: “Dalja, përvojë themelore për thirrjen”. Veprimtaria misionare dhe ungjillëzuese e Kishës është pra në qendër të Mesazhit të Papës Françesku për Ditën e 52-të Botërore të Lutjes për Thirrjet meshtarake e rregulltare. Që këndej, ftesa e Papës Françeskut drejtuar të rinjve për të mos pasur frikë të dalin nga vetvetja e të vihen për udhë, gjithnjë me vështrimin ngulur mbi nevojtarët.

Në një Kishë misionare, vijon Ati i Shenjtë Bergoglio, “thirrja e krishterë nuk mund të lindë përveçse brenda përvojës së misionit”. Kjo është e mundur vetëm nëse jemi të aftë të dalim nga vetvetja, duke përjetuar një “eksod” të vërtetë, të krahasueshëm me Eksodin biblik të Popullit të Zotit për t’u çliruar nga skllavëria e për të gjetur një jetë të re në Krishtin. Për Papën, kjo është shëmbëlltyra e krejt historisë së shëlbimit e të dinamikës së fesë së krishterë.

Në bazën e çdo thirrjeje të krishterë, shpjegon Françesku, është dalja nga “rehatia e ngurtësia e vetvetes për ta vënë Jezu Krishtin në qendër të jetës sonë”. Kjo dalje nuk do të thotë se nuk na pëlqen jeta jonë, përkundrazi. Vokacioni, citon Papa Françesku enciklikën “Deus caritas est” të Benediktit XVI, është thirrje dashurie, që na tërheq e na nxit të shkojmë përtej vetvetes, në një eksod të përhershëm drejt lirisë e dhurimit të vetvetes.

Kjo dinamikë, vëren Ati i Shenjtë Bergoglio, nuk ka të bëjë vetëm me personin e veçantë, që ndjen thirrjen e Zotit, por me gjithë veprimtarinë misionare dhe ungjillëzuese të Kishës. Është fjala për një Kishë “në dalje”, të aftë të “takojë bijtë e Hyjit në gjendjen e tyre të vërtetë dhe të vuajë bashkë me ta për plagët e tyre”. “Kisha që ungjillëzon – thekson Papa Bergoglio – del të takojë njeriun, shpall fjalën çliruese të Ungjillit, kujdeset, me hirin e Zotit, për plagët e shpirtit e të korpit, ndihmon të varfrit dhe nevojtarët”. Thirrja e krishterë përfaqëson një impenjim konkret, në shërbim të ndërtimit të Mbretërisë së Zotit mbi tokë dhe nxit pashmangshëm drejt solidaritetit, sidomos me të varfrit.

Të rinjve, Papa Françesku u drejton një thirrje të zjarrtë që të mos kenë frikë nga pasiguritë dhe të papriturat e përditshme, të cilat ka rrezik t’ua frenojnë ëndrrat. Duhet të dalin nga vetvetja e të vihen për udhë gjurmëve të Jezusit, siç pati bërë Shën Maria Virgjër, model për çdo thirrje. Si ajo, të mos kenë frikë t’i thonë “po” Zotit e t’ia kushtojnë gjithë jetën Atij. Prandaj, fton Papa “ le ta përgatisim zemrën tonë që të jemi “tokë e mirë” për ta dëgjuar, pranuar dhe jetuar Fjalën dhe kështu të japim fryt. Sa më shumë të dimë të bashkohemi me Jezusin me anë të lutjes, Shkrimit të shenjtë, Eukaristisë, Sakramentet e kremtuara dhe të jetuara në Kishë, me vëllazërinë e jetuar, aq më shumë do të rritet në ne gëzimi i bashkëpunimit me Hyjin në shërbim të Mbretërisë së mëshirës dhe të të vërtetës, të drejtësisë dhe të paqes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.