2015-07-06 14:53:00

Papa: turmë pa fund në Guayaquil, simbol i pavarësisë amerikanolatine


Qyteti i Guayaquilit, ku Papa Françesku shkoi sot nga Quito, është më i populluari i Ekuadorit, me 3,7 milion banorë. Është gjithashtu, zemra financiare e vendit dhe një nga portet kryesore të kontinentit amerikanojugor. Konsiderohet “Perla e Paqësorit”. Legjenda tregon se emri i qytetit rrjedh nga bashkimi martesor i kryetarit të indiosve Guayas me nusen e tij Quil, të dy, simbole të rezistencës së vendasve, që preferuan të vdisnin për të mos iu nënshtruar pushtuesve spanjollë. Emri i Guayaquil-it lidhet gjithashtu me projektin bolivarian të “Kolumbisë së Madhe”, prandaj konsiderohet simbol i pavarësisë amerikanolatine.

Më 24 maj 1822, “libertador” Simon Bolivar pati këtu takimin historik me patriotin argjentinas, José de San Martin e, së bashku, shpallën bashkimin e Provincës së Lirë të Guayaquil-it me Republikën e Kolumbisë së Madhe (Venezuela, Kolumbia, Ekuadori dhe Panamaja). Ëndërra bolivariane e bashkimit amerikanolatin zgjati vetëm 8 vjet. Që në vitin 1830 latifondistët e pasur të Guayaquil-it, pasardhësit e të cilëve janë akoma eksportuesit më të mëdhenj të bananeve, vendosën të ndaheshin nga Kolumbia e Madhe për të formuar shtetin e pavarur të Republikës së Ekuadorit, ku shtrirja e tyre nuk do të kishte më asnjë pengesë.

Dy shekuj më pas, gjithnjë Guayaqul-i qe këto ditë teatër i ndeshjeve ndërmjet manifestuesve e policisë. Historia përsëritet, pasi ata, që kanë në dorë ekonominë vendase, nxisin protestat kundër reformave shoqërore të Rafael Correa-s, i cili synon të financojë “pagesën shoqërore”, të nevojshme për të luftuar kundër varfërisë, që reziston në disa zona të vendit, megjithëse është ulur nga 40 në 20%. Problemi është se fondet për këtë duhet të dalin nga taksat mbi mbivlerën e realizuar nga pronat private dhe trashëgimitë. Në protesta janë bashkuar edhe sindikatat e mjekëve, të cilët nuk duan t’u sigurohet asistenca shëndetësore të gjithëve, me tarifat e vendosura nga qeveria.

Në Guayaquil, ku mbërriti sot pasdite, me orën evropiane, Papa Françesku viziton shenjtëroren e bukur, ultramoderne, të Mëshirës Hyjnore, ngritur 20 vjet pas shtegtimit të shën Gjon Palit II, Papës, që përhapi në botë këtë kult. Pastaj, kremton meshën në Parque de Los Samanes, me rreth 900 mijë besimtarë të pranishëm, dhe e kalon drekën me bashkësinë e jezuitëve në kolegjin Javier. Më pas, kthehet në Quito, ku do t’i bëjë një vizitë kortezie presidentit Correa në Pallatin presidencial e do të shkojë për t’u lutur në katedralen e qytetit, nga ku do të përshëndesë e bekojë besimtarët.








All the contents on this site are copyrighted ©.