Më 6 korrik bie përkujtimi liturgjik i shën Maria Goretit. Shembull i shenjtërisë
në jetën e përditshme të jetuar me besnikëri koherente. Maria Tereza Goreti, ose Marieta,
siç e thërrisnin të afërmit, nuk është e vetmja vajzë që parapëlqeu më mirë të vdiste,
sesa të pranonte joshjet e një njeriu që deshi t’ia turbullonte jetën. Pothuajse çdo
ditë kronika flet për ushtrimin e dhunës mbi vajza të reja, të pambrojtura. Po prindërit
e Marietës nuk mundën ta mbronin....
Shkaku për të cilin Kisha e paraqet si shembull këtë shenjte 12 vjeçare, nuk është
vetëm sepse u shqua për pastërti morale, por pse gjithë jeta e saj ishte shembullore,
pse zgjodhi vdekjen jo vetëm për të mbrojtur nderin, por kryesisht për t’iu bindur
urdhrit hyjnor: “Jo, jo, Zoti nuk do; është mëkat!” - i bërtiti djaloshit Aleksandër
Sereneli, kur ai deshi të përdorte dhunën.
Familja Goreti, me origjinë nga Korinaldo, në provincën e Ankonës, e shtyrë nga nevoja,
pati emigruar në Agro Pontino, dhjetë kilometra larg Netunos, aty nga fundi i shekullit
të kaluar. Njerëzit e saj, të mësuar me punë të rëndë ndër ara, u strehuan në një
shtëpi të vjetër. E ndërsa nëna e babai punonin tokën, Maria kujdesej për katër vëllezërit,
më të vegjël se ajo. Ishte vetëm dhjetë vjeçe, kur i vdiq i ati, i sëmurë nga malarja.
Kështu s ‘ëmës, Asuntës, iu desh të punonte gjithë ditën për të siguruar jetesën.
E Maria, që nuk kishte mundur të vijonte rregullisht shkollën, tani hoqi dorë nga
gjithçka, për t’iu kushtuar plotësisht shtëpisë e vëllezërve. Kur kishte sadopak kohë
të lirë, vraponte te Kisha e largët për të ndjekur katekizmin. E kështu mundi të merrte
kungimin e parë.
Ishte tepër e zhvilluar për moshën, prandaj tërhoqi vëmendjen e djaloshit të shqetë
Aleksandër Serenelli. Ajo i kundërshtoi vazhdimisht. Por Aleksandri nuk hoqi dorë.
Një ditë, kur nëna u nis për në arë, duke e lënë Marietën vetëm me motrën e vogël
(e cila më vonë do të bëhej murgeshë ndër Françeskanet Misionare të Zojës së Papërlyer),
pas refuzimit të zakonshëm të vajzës, e theri disa herë me thikë.
E mbartur në spitalin e Nettunos, vdiq një ditë më pas, duke e falur vrasësin me fjalët:
“Për dashuri të Krishtit e fal dhe dëshiroj të vijë me mua në Parajsë!”. Ishte data
6 korrik e vitit 1902. I dënuar me burgim të përjetshëm, Aleksandër Sereneli u lirua
pas 27 vjetësh për sjellje të mirë. Më 1910 tha se kishte parë në vegim Martiren e
vogël e që atë çast jeta e tij ndryshoi. Më 1950 e ëma e Marietës dhe të vëllezërit
ishin të pranishëm në shenjtërimin e vashës që nuk pranoi të përlyhej me mëkat.
All the contents on this site are copyrighted ©. |